Ngritet aktakuzë ndaj tre drejtorëve të Haskukës

Tre drejtorë komunalë të Prizrenit po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.

KALLXO.com merr vesh se Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasëmit (LVV), Drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashit (LDK), Drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Refik Shaqirit (NDS), Drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi.

Të tre të akuzuarit janë drejtor aktual nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

Këta të tre po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën deri ishin anëtarë të Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës së Prizrenit

Pos tre drejtorëve , të akuzuar janë edhe asambliste nga Nisma Social Demokrate dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “ Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision.

Aktakuza ka të bëjë me Tenderin Publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i Komisioni ka qenë akuzuari drejtori Levent Kasëmi, e zëvendës kryetar i Komisionit ka qenë drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se me datë 18 Mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik dhe Ligjin për Dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të Pronës së paluajtshme të Komunës.

“ Përzgjedhja  e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F.B në dëm të të dëmtuarit A.D, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë” qëndron në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi në këtë rast i dëmtuari A. D kishte ofruar shumën prej 25.20 Euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 Euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të Komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari A.D kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, Komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Drejtori i Shërbimeve Publike Levent Kasëmi vjen nga radhët e Vetëvendosjes, përderisa drejtori Fejzë Kabashi është anëtarë i LDK-së e cila është në koalicion qeverisës në Komunën e Prizrenit.

Refik Shaqiri është anëtar i subjektit politik NDS (Nova Demokratska Strank) e udhëhequr nga deputetja Emlija Rexhepi, subjekt ky që ka 2 asamblist dhe që gjithashtu janë në koalicion qeverisës në Komunën e Prizrenit.

Komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe  këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës së Prizrenit përbëhet nga shtatë anëtarë, tre nga të cilët i propozon Kryetari i Komunës, tre anëtarë tjerë i propozon Asambleja Komunale e Prizrenit, ndërsa anëtarë i fundit propozohet nga Shoqëria Civile.