Drejtori i Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica
Drejtori i Emergjencave në Prishtinë: Sipas të gjitha gjasave kulmi u hoq nga erërat e forta
Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se kulmi i objektit të ri të Komunës, sipas të gjitha gjasave ka rënë si pasojë e erërave të forta.
Ky incident i shkaktoi lëndime të rënda një gruaje, e cila po trajtohet në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ndonëse Fushtica tregoi se raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën në këtë objekt, ai po ashtu tha se nuk kanë pasur informata se ky objekt është i pasigurt.
“Nuk mund të themi për ma herët çka ka ndodhë, por sipas informatave që janë ka pasë raste edhe më herët që kanë ndodhë, në vitet e kaluara” – u shpreh ai.
I pyetur nëse ky kulm është i njëjti për të cilin ishin ndarë 700 mijë euro për ta rikonstruktuar, drejtori tha se “drejtoritë përkatëse do të japin informata për këto aspekte”.
“Nuk ka pasur punime jashtë ndërtesës. Kur ka ndodhë rasti, nuk ka pasë punëtorë duke punu” – shtoi drejtori.
Fushtica tha se janë duke u kryer hetime nga Policia dhe ekipet e emergjencave për të parë se si ka ndodhur ky rast.
“Në bazë të protokolleve të sigurisë është mbyllur ndërtesa dhe punëtorët janë lëshuar në shtëpi” – tha ai më tej.
Drejtori Fushtica tha se nuk mund të japë më shumë arsye pasi që hetimet janë preliminare dhe po vazhdojnë.
“Me marrjen e lajmit janë thirrur emergjenca mjekësore, Policia, inspektorët e emergjencave janë dalë në vendin e ngjarjes brenda një afati të shkurtër kohor dhe kanë fillu sanimin e incidentit” – tregoi ai.
Në pyetjen se pse nuk janë marrë masat me kohë, Fushtica tha se të gjitha do të zbardhen pas hetimeve.
Ky objekt, siç tha ai, është ndërtuar në vitin 2009.
Prokuroria e Prishtinës në koordinim me Policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës të Prishtinës.