Rënia e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës
Rënia e çatisë së objekti të ri të Komunës së Prishtinës, prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Prishtinës në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës së re të Prishtinës.
Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënja e Prokurorisë së Prishtinës, Luareta Ulaj.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” – thuhet nnë njoftimin e prokurorisë.
Një 23-vjeçare ka mbetur e lënduar nga rënia e çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” sot rreth orës 13:00.
Për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar se një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e objektit,
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor” – ka thënë ai.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë se 23-vjeçarja ka pësuar lëndime të rënda truporre dhe e njëjta pas ekzaminimeve do të transferohet në mjekimin intensiv qendror.