Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës - Foto: 18.01.2024

Çka ndodhi me kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës?

Një qytetare është lënduar e disa vetura janë dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës.

Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale janë parë në vendin ku ndodhi rasti.

Policia ka njoftuar se rreth orës 13:00 ka pranuar informacionin për lëndimin e një qytetareje nga materiale që janë shkëputur nga kulmi i objektit.

“Rreth orës 13:00 është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”- ka konfirmuar për KALLXO.com, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Ndërsa, nga QKUK u bë e ditur se një 23-vjeçare kishte pësuar lëndime të rënda.

“Gjendja e të lënduarës është stabile, por që e njëjta ka lëndime të rënda trupore dhe është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente”- thuhej në përgjigjen e QKUK-së.

Lidhur me rastin hetime ka nisur Prokuroria e Prishtinës.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe drejtori i Drejtorisë së Emergjencave të Komunës së Prishtinës, Lulzim Fushtica.

Para mediave, Fushtica tha se sipas të gjitha gjasave një pjesë e kulmit të objektit të Komunës ka rënë për shkak të erërave të forta.

Ai ka mohuar që dikush të ketë qenë duke punuar në kulmin e ndërtesës, për rregullimin e të cilit Komuna kishte paraparë të ndante 700 mijë euro vitin e kaluar.

Objekti i ri i Komunës së Prishtinës ishte përuruar më 2009 dhe ndërtimi i tij kishte kushtuar mbi 4 milionë euro.

Ndërsa, në janar 2023 Komuna kishte hapur tender për rikonstruksion të kulmit të ndërtesës pasi në kohë reshjesh kishte rrjedhje të ujit brenda objektit.

Komuna fillimisht kishte paraparë të ndajë 700 mijë euro për këtë ndërhyrje.

Kontrata më pas ishte nënshkruar në muajin gusht me operatorin “NBT-ING” me bazë në Suharekë për rreth 400 mijë euro.

Në dosjen e tenderit theksohej se me anë të këtij tenderi do të kryhen punë si në vijim: demolim, muratim, izolim, pune në pllafon, dysheme, përpunim fasade, punime metalike si dhe punime në dyer e dritare.

Për këto punime, Komuna në një përgjigje për Kallxo.com në mars 2023 ishte shprehur si në vijim:

“Deri në vitin e kaluar nuk ka pas ndonjë problem, por duke pas parasysh reshjet sidomos vitin e kaluar kulmi ka filluar të rrjedhë kryesisht në disa pika, jo në gjithë kulmin, andaj meqë kemi një kontratë të renovimeve, është planifikuar që të hyj edhe renovimi i kulmit”- ishin përgjigjur nga Drejtoria e investimeve kapitale.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunë, Lulzim Fushtica, tha sot se nuk ka njohuri nëse ky kulm është ai për të cilin u nënshkrua kontrata për kryerje të punimeve.

Fushtica theksoi se ka pasur raste që pjesë nga kulmi kanë rënë edhe më herët.

Ai potencoi se brenda objektit nuk ka pasur dëmtime dhe se qytetarët do të njoftohen me kohë se kur do hapet prapë objekti për ofrim të shërbimeve.

 

www.kallxo.com