Komuna e Prishtinës: Nuk jemi njoftuar që uji do të ndalet në Prishtinë

Drejtori për Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se as IKShPK-ja e as KRU Prishtina nuk e ka lajmëruar komunën rreth gjendjes së krijuar me mangan në liqenin e Badocit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se kur janë drejtuar qytetarët për informacion në Komunë, ata nuk kanë ditur se çfarë t’u thonë atyre.

“Sa i përket këtij fenomeni neve na kanë zënë në befasi, ne i kemi futur në funksion të gjitha resurset që i kemi për t’u dalë në ndihmë edhe KRU Prishtinës edhe IKShPK-së, por mendoj që në të ardhmen do të duhet të kemi një koordinim shumë më të mirë që edhe kryeqyteti t’i informoj qytetarët dhe të jemi të gatshëm” – tha Fushtica.

Ai shtoi se është dashur që të informohet kryeqyteti para se të dalin rezultatet e analizave.

“Ka mungu një informim i kryeqytetit para se të ndodh kjo, para se të ndalet uji, në mënyrë që ne ti informojmë qytetarët dhe t’u dalim në ndihmë. Ne nuk kemi autocisterna për ujë të pijshëm” – tha Fushtica.

Ai ndër tjerash tha se për vitin e ardhshëm, Komuna e Prishtinës ka planifikuar që të blej autocisterna të ujit të pijshëm.

“Në vitin 2024 kemi paraparë blerjen e këtyre autocisternave në mënyrë që në situata të tilla, por edhe në situata tjera emergjente, të jemi të gatshëm t’i dalim në ndihmë qytetarëve, pasi ata janë duke e pësuar sepse janë duke e blerë ujin e pijes vet” – tha tutje Fushtica.

Më 19 tetor, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për të gjitha zonat të cilat furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badocit, të mos e konsumojnë ujin.

Kjo pasi në bazë të analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit nga uji i prodhuar në fabrikën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit, ka dalë se ka vlera të rritura të Manganit.

Përmes një komunikate për media ishte bërë e ditur se IKSHPK-ja ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë.

“IKSHPK-ja apelon te qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”, thuhej në njoftim.