Dosja e Prokurorisë e përshkruan sulmin ndaj Valon Sylës të motivuar nga ide ekstremiste e radikale

Nën përcjellje të Njësisë Speciale të Kosovës, tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla janë dërguar mëngjesin e sotëm në Gjykatë për t’u paraqitur në seancën e procedurës paraprake pasi Prokuroria Speciale kërkoi që ndaj të njëjtëve të caktohet masa e sigurisë.

Kjo masë siç ka mësuar KALLXO.com është ajo e paraburgimit.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen e prokurorisë në lidhje me dyshimet se tre të arrestuarit janë të involvuar në sulmin që ndodhi mbrëmjen e 11 prillit në Prishtinë.

Lum Dervishi 24 -vjeçar po dyshohet nga Prokuroria Speciale se së bashku me Kenan Hasanin 23-vjeçar dhe Okan Hasani 24-vjeçar mbrëmjen e 11 prillit rreth orës 23:00 në lagjen “Bregu i Diellit” kanë sulmuar gazetarin Valon Syla.

Prokuroria përshkruan se sulmi ishte i motivuar me ideologji ekstreme radikale islame me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes e mosdurimit.

Kjo pasi që të dyshuarit pas një postimi në rrjete sociale nga Valon Syla kanë marrë shkak për ta sulmuar të njëjtin.

Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e të dyshuarve pasi ka konsiderua se të njëjtit nëse hetohen gjatë kohës sa janë në liri mund të arratisen, mund të përsërisin veprën penale duke marrë për bazë peshën e veprës të cilën kanë kryer pasi parashihet dënim me burg nga 1 deri në 8 vite.

Drejtori i Gazeta Metro dhe gazetari, Valon Syla është sulmuar më 11 prill nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

Gazetari Valon Syla pak pas sulmit fizik ndaj tij kishte deklaruar se personat që e kishin sulmuar kanë qenë ‘islamik fanatikë’.