Donatori mund të dhurojë qeliza vetëm për një çift

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, i cili synon të garantojë të drejtën riprodhuese të individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore.

Merita Vuthaj, e cila është kryesuese e grupit për hartimin e këtij Ligji në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se me këtë Ligj përcaktohet që një donator do të dhurojë qeliza vetëm për një çift e jo për më shumë.

“Do të bëhet regjistri për fertilizim që bazën do ta ketë në Ministrinë e Shëndetësisë, në bazë të të cilit donatori do të marrë pëlqimin për këtë proces, pasi që një donator mund të dhurojë qeliza vetëm për një çift deri në 3 herë për të njëjtin çift” – ka thënë Vuthaj.

Ndryshe, ky Projektligj gjatë javës së kaluar ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, tha se ky është një Ligj i rëndësishëm dhe tregoi se përderisa nuk ka qenë në ndonjë lidhje (martesore) i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca.