Diola Dosti Baftiu

Ndikimi i ushqimit në shëndetin riprodhues

Një jetë e shëndetshme me ushqim të balancuar është një prej faktorëve më të rëndësishëm që lidhet me shëndetin riprodhues.

Sipas nutricionistes Diola Dosti Baftiu, ushqimi i shëndetshëm ndikon në përthithjen sa më të mirë edhe të vitaminave të marra në formë tabletash edhe të medikamenteve që përshkruhen nga mjekët.

“Infertiliteti në fakt është një problematikë që duket se po rritet vit pas viti. Sipas një shoqate për parandalim dhe trajtim të sëmundjeve në Amerikë me miliona gra çdo vit diagnostikohen me infertilitet që realisht nuk është gjë tjetër veç paaftësi për të ngelur shtatzënë. Një ndër shkaqet mund të jenë edhe toksinat afër ambientit në të cilin jetojmë. Ka studime shkencore që e vërtetojnë këtë. Një shkak tjetër mund të jetë ushqimin i varfër, çrregullimet hormonale dhe problemet me gjëndrën tiroide candida, aktivitetet e shtuara fizike. Kemi raste që ato kanë arritur të trajtojnë infertilitetin përmes rregullimit të pjatës së tyre ushqimore”, thotë nutricionistja Diola Dosti Baftiu.

Sipas Dosti-Baftiut rëndësi duhet kushtuar llojit të ushqimit që përdorimit dhe formës se si janë trajtuar ato.

“Ushqimet organike kanë një rol të jashtëzakonshëm në infertilitet, sepse ushqimet që janë të trajtuara me pesticide kanë një veti interesante për të sjellë imbalanca hormonale sidomos në nivelin e hormonit të estrogjenit. Të konsumojmë ushqime që janë të stinës, dhe ushqime që i kemi afër vendit tonë pra produkte vendore”, shpjegon ajo.

Nutricionistja rekomandon që të konsumohet një laramani ushqimesh dhe të mos lihen jashtë ato që kanë rëndësi të madhe si vajrat e ndryshme.

“Konsumimi i ushqimeve të detit, konsumimi i peshkut, marrja e vajit të mëlçisë së merlucit 1 mijë deri në 2 mijë miligramë për të dyja gjinitë do të ishte një zgjidhje e mirë, kurse kur flasim për bimët kemi arrat, farat e lirit, fara kia është një bimë që ka omega 3 dhe është burdullaku, këto kategoritë veprojnë bashkë si skuadër që të japin komplet efektet e tyre maksimale”, rekomandon nutricionistja.

Diola Dosti- Baftiu thotë se vitaminat kanë rol kyç.

Sipas saj problemi i mungesës së vitaminës D është bërë mjaft i dukshëm kohëve të fundit, prandaj ajo rekomandon të konsumohen ushqimet me përmbajtje të kësaj vitamine.

“Vitamina D gjendet në disa ushqime: veza, produktet e qumështit, kërpudha. Nëse nuk e marrim vezën e fshatit vitamina D është më e zvogëluar kështu që detyrimisht e marrim në dimër duke marrë pika shtesë”, thotë ajo.

Nutricionistja rekomandon që të rregullohet me ligj çështja e përfshirjes se nutricionistit në procesin e shërimit të pacientëve.

“Ti mund të marrësh edhe acidin folik mund të marrësh edhe vitaminë B edhe medikamente për të trajtuar infertilitetin por nëse ti nuk merr ushqimet e duhura këto nuk përthithen si duhet në zorrën e hollë mëlçia nuk punon si duhet nëse nuk je ushqyer mirë, unë them duhet të krijohet një trekëndësh mjeku pacienti dhe nutricionisti”, këshillon Dosti- Baftiu.