5 milionë euro i kanë harxhuar qytetarët në privatë për IVF, tash ky shërbim vjen në SHSKUK

Në Kuvendin e Kosovës para disa javësh është diskutuar për Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, e i cili ngjalli debat mes deputetëve në seancë.

Ky projektligj synon të garantojë të drejtën riprodhuese të individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar në rrugë natyrore.

Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, tha se ky është një ligj i rëndësishëm dhe tregoi se përderisa nuk ka qenë në ndonjë lidhje martesore i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca.

“Në aspektin kur i rregullojmë gjërat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinuar ne si gra qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë, diçka që nuk parashihet me pjesën e burrave. Dua të jem e sinqertë dhe ta them publikisht këtë pjesë se unë përderisa nuk kam pasur mundësinë të jem në lidhje, apo lidhje martesore, kam dashur të bëhem nënë. Dhe, unë duhet të jem e limituar, në bazë të asaj që e the, vetëm pse një shoqëri mendon se një normë duhet të jetë në një formë të caktuar. Dhe përderisa kam dashur të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi se çka ka ofruar shkenca për të ma mundësuar këtë të drejtë, e jo të ma determinojë një burrë, që unë duhet doemos të kem një burrë, me të cilin martohem, për të pasur mundësinë të bëhem nënë…” – tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji në fjalë nuk bie në kundërshtim as me Ligjin për familje as me Ligjin për shëndetësi, e as me Kodin Civil.

“Ky ligj ka rëndësi të veçantë. Në asnjë vend nuk ka pasur kundërthënie me asnjë ligj. Me vërejtje ose jo, në fund ju do ta votoni, por këto që u ngritën këtu nuk qëndrojnë” – tha ministri Vitia.

Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti tha se i del në mbështetje fjalimit të deputetes Saranda Bogujevci.

“Askush nuk ka të drejtën t’ia heqë të drejtën dikujt që të bëhet nënë. Familja nuk e ka vetëm një formë dhe asnjë familje nuk i ka anëtarët e njëjtë” – tha deputetja Kurti.

Por, Kuvendi i Kosovës, nuk pati kuorum për miratim të këtij ligji, pasi nuk kishin marrë pjesë të gjithë deputetët në votim.

Ky projektligj u diskutua edhe në emisionin #KallxoPernime.

Merita Vuthaj, e cila është kryesuese e grupit punues në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se MSH-ja ka ligjin për shëndetin riprodhues si dhe një Udhëzim Administrativ për feritilizim të asistuar mjekësor, e të cilët janë në fuqi derisa të miratohet në Kuvend, ligji i ri.

“Ligji ekzistues është i vitit 2006, por deri në vitin 2017 ai ka pësuar ndryshime. E kemi parë të arsyeshme që të bëjmë një iniciativë për hartimin e ligjit të ri, kur e kemi bërë një koncept dokument në 2017 dhe është miratuar nga Qeveria i kemi listuar të gjitha problemet dhe ndryshimet, të cilat ne po duam me arrit qëllimin për me bo një ligj të ri”, ka thënë Vuthaj.

Sipas saj, fertilizimi i asistuar mjekësor ka qenë i rregulluar përmes udhëzimit administrativ, por që nuk ka mjaftu. Ajo shton se përkundër që baza ligjore ka qenë e mirë, nuk i ka përmbush të gjitha kriteret që duhet t`i ketë ky proces.

“Pjesa tjetër e shëndetit riprodhues, janë pjesa e përgjithshme, organizimi, funksionimi, këshillat, planifikimi familjar dhe të gjitha, kujdesi shëndetësor për shëndet riprodhues në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor, ka qenë në ligjin paraprak por jo mirë e rregulluar apo i përgatitur që të zbatohet në praktikë”, ka thënë më tej ajo.

Ky propozim ka marr dritën e gjelbër nga Qeveria dhe pritet të dalë përsëri në Kuvend për miratim.

Merita Vuthaj, kryesuese e grupit punues në Ministrinë e Shëndetësisë ka shpjeguar terminologjitë e IFV-së dhe fertilizimit të asistuar mjekësor.

“Ne e kemi marr si terminologji, fertilizimi i asistuar mjekësor që nënkupton një varg procedurash dhe metodash për me arrit qëllimin e fertilizimit, ndërsa IVF-ja është vetëm njëra prej tyre”, ka thënë tutje Vuthaj.

Deri më tash në QKUK nuk është kryer një proces i tillë, andaj është bërë vetëm në institucione private, brenda dhe jashtë shtetit.

“Ekzistojnë 8 institucione private të cilat e kanë këtë shërbim, ndërsa ne ende nuk kemi pasur kushte e as institucion që kryen këtë shërbim”- ka thënë Vuthaj.

Realizimi i një fertilizimi të asistuar mjekësor kushton 3 deri në 4 mijë euro.

“Si Ministri e kemi hartuar një plan për funksionalizimin e repartit për IVF, një përllogaritje që e kemi bërë, nga viti 2016 janë raportuar mbi 7 mijë raste që kanë kryer IVF në 8 institucione private, Llogaritet që deri në 28 milionë euro i kanë marrë këto institucione, kuptohet me shumën prej 4 mijë euro për një procedurë”, ka thënë më tej Vuthaj.

Xhevdet Pozhari, këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se janë saktësisht 7 mijë e 224 raste që brenda Kosovës e kanë kryer shërbimin IVF (In vitro fertilisation) në të kaluarën.

“Këto të dhëna janë vetëm brenda institucioneve private të vendit, nuk kemi informacione se sa raste janë që këtë e kanë bërë jashtë vendit, nga këto raste dalin rreth 30 milionë euro për 6 vjet që nëse e përpjesëtojmë në vit i bie që qytetarët tanë kanë paguar për këto procedura 5 milionë euro në vit”, ka thënë Pozhari.

Ai ka shtuar se janë ndarë më shumë se 1 milion euro për të filluar me infrastrukturën brenda Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për të funksionalizuar repartin e IVF.

Pro-kundër ligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, është shprehur kundër disa çështjeve që janë në këtë ligj.

“Jam kundër që procesi i fertilizimit të mundësohet përmes donatorëve të ndryshëm te një vajzë, jam kategorikisht kundër pasi kjo do të sjell pasoja, pra një grua që nuk ka bashkëshort, nuk bashkëjeton me askënd apo se ka askënd. Më pengon kjo për shumë arsye, e para i bën padrejtësi një fëmije, i cili lind përmes kësaj mënyre, ai fëmijë nuk ka baba, pra s`ka vendos ai mos me pas babë, por ka vendos një person tjetër”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka shtuar se mënyra e përcaktimit të gjinisë lë hapësirë për keqpërdorim.

“Në këtë pikë mendoj që më së shumti do të pësojnë këtu gjinia femërore sepse shumica e prindërve dëshirojnë të kenë më shumë djem sesa vajza”, ka shtuar Rrahmani.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, njëherësh edhe pjesë e Komisionit për të drejtat e njeriut, ka thënë se thelbi i problemit dhe çelësi i tij qëndron pikërisht tek Kushtetuta e Kosovës, e cila sipas saj është shumë e avancuar për një shoqëri e tillë pra kjo kosovare.

“E para, të gjitha deklaratat për të drejtat e njeriut, ato të fëmijëve, eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit të gruas, të gjitha janë pjesë e Kushtetutës sonë, që garanton të jetuarit qysh ne dëshirojmë. E dyta, e drejta e integritetit personal, citoj, e drejta për të marr vendime lidhur me reproduktimin sipas rregullave të përcaktuara me ligj, e drejta për me pas kontroll mbi trupin sipas ligjit, e drejta që të mos i nënshtrohet kontrollit mjekësor kundër vullnetit të saj dhe e drejta për të mos marr pjesë në eksperimente shkencore pa pëlqim paraprak”, ka theksuar Hoxha.

Merita Vuthaj, kryesuese e grupit punues në MSH, ka thënë se çështja e donacionit është e rregulluar në bazë të këtij ligji.

“E kemi përcaktuar edhe moshën e donatorit që është një person vullnetar, i rritur mbi moshën 18 vjeç që me vullnetin e lirë dhe pa kompensim financiar i dhuron qelizat e veta. Përjashtimisht nga ky nen duhet të paguhet transporti, analizat laboratorike dhe koha e humbur”, ka thënë Vuthaj.

Përderisa me këtë ligj është përcaktuar ku do të themelohet banka e ruajtjes së këtyre qelizave, regjistri për fertilizim të asistuar mjekësor, i cili bazën do ta ketë më MSH dhe do ta ketë një zyrtar përgjegjës që do të ruaj konfidencën.

“Ka m`u shtri ky sistem në të gjitha institucionet private të cilat kryejnë procedura të fertilizimit të asistuar mjekësor përfshirë këtu edhe institucionin publik. Deri tash donatori ka mund me dhuru qelizat e tij në disa institucione private por që me këtë ligjin e ri kjo është e ndaluar”, ka shtuar Vuthaj.

Vuthaj ka thënë gjithashtu që në ligj përcaktohet që kur donatori dhuron qelizat e tij, duhet të jap edhe një pëlqim nga regjistri i MSH-së që nuk ka dhuru qelizat në një institucion tjetër.

“Ligji e përcakton që një dhurues ka të drejt të dhuroj qelizat e veta për një grua apo për një qift deri në lindjen e tre fëmijëve të gjallë te i njëjti qift, dmth një donator për qift”, ka thënë Vuthaj.

Ndërsa deputeti i LVV-së ka pyetur që nëse donatori ka të drejt të krijoj familjen e vet.

“Qysh fëmija i tij e di që është vëllai ose motra e atij qiftit që i ka dhuruar qelizat”, ka pyetur Rrahmani.

Ndërsa Vuthaj ka shpjeguar që dhurimi i qelizave bëhet me vullnet të donatorit.

“Ai që dhuron është i vetëdijshëm që dikah ato qeliza hyjnë në funksion, ka me lind një fëmijë”, ka thënë Vuthaj në shpjegimin e saj.

Rrahmani e ka quajtur të jashtëligjshëm Udhëzimin Administrativ për fertilizim të asistuar mjekësor.

“Ligji thotë që riprodhimi i asistuar i përgjigjet vullnetit dhe kërkesës prindërore të qiftit për të pasur fëmijë, duke trajtuar shkaqet e fatalitetit ose për të penguar bartjen e sëmundjeve nga prindi tek fëmijët”, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij ligji nuk flet për një grua të pamartuar por për prindër.

Ndërsa deputetja nga PDK-ja i është kundërpërgjigjur Rrahmanit duke thënë që askush s’ka të drejt të vendos se si një grua dëshiron ta bëjë jetën e saj.

“Mos m’shti me fol për fëmijët jashtëmartesor që i kemi gjithandej Kosovës, e që nuk flitet fare për ta. Edhe ata fëmijë ndoshta nuk e dinë dhe martohen një ditë, ndërsa janë bërë në mënyrë biologjike”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Antikushtetues e ka quajtur, Leonida Molliqaj nga OJQ ‘Qika’, reagimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kur është diskutuar për këtë projektligj.

“E shkel Konventën për të drejtat dhe eliminimin e të gjitha formave e dhunës e cila specifikon të drejtën e grave për vendimet e tyre, konventë e cila është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Specifikisht z.Rrahmani deklarimi juaj është antikushtetues, ku në rrjetin tuaj Facebook keni thënë që familja për mua është e përbërë nga gjyshi, baba, nana, fëmija, ky është përkufizim i juaji, mbajeni për vete”, i është drejtuar Molliqaj, deputetit Rrahmani.

Ajo më tej ka shtuar se kjo qasje kundërshtuese është qasje konservatore dhe se e tillë duhet të ndërrohet.

“Shumë keq që po keni ende hapësirë me fol brenda një hapësire publike qysh është Kuvendi. Ideja e një familje tradicionale me të cilën shumica janë duke e përdor si argument për të kundërshtuar këtë projektligj. Për mua deklarimi i Sarandës tregon një guxim që e drejta e saj për me vendos për riprodhim i takon vetëm asaj dhe krejt grave e vajzave të tjera në Kosovë”, ka thënë më tej Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se tashmë nuk beson që familja duhet të jetë vetëm një formë.

“Pra baba, nana, fëmija, jo ne njohim edhe forma të tjera të familjes. Ne njohim edhe formën ku mund të jetë vetëm nana me fëmijë apo vetëm baba me fëmijë, edhe është pa lidhje prej juve me mohu këtë formë për shkak se kemi edhe raste ku baba është kujdestar i fëmijëve në raste të divorcit”, tha Molliqaj.

Ky krahasim i Molliqajt, për deputetin Rrahmani është i pavend.

“Ky s’është diskutim, ajo s’është diçka që vendosim ne”, ka thënë Rrahmani.

Molliqaj ka thënë se shqetësimi i gjinisë mashkullore qëndron pikërisht tek fakti ‘që iu është hequr një lloj privilegji që pa ta nuk krijohet familja’.

Rrahmani është pyetur nga moderatorja Jeta Xharra se pse ai po e lidh ‘traditën shqiptare me nevojën e burrit’.

“Roli i nënës tek fëmija është shumëfish më i madh sesa ai i babës, por nuk na lejon të paktën mua ndërgjegjja që unë me vendos për një fëmijë a me pas a jo babë. Kjo është diçka tjetër. 99% e divorceve vijnë si shkak i burrave”, është përgjigjur Rrahmani.

Rrahmani ka shtuar se është i angazhuar për një familje si ajo Jashari e Pajaziti.

“Një familje që lë pasardhës, krijon njerëz çfarë e kemi edhe ne shoqërinë është mendim i jemi që e kam deklaru publikisht, por në asnjë mënyrë nuk do të angazhohem politikisht që dy persona të gjinisë së njëjtë me pas të drejtën e adaptimit të fëmijës”, ka thënë Rrahmani.

Deputeti tjetër i LVV-Burim Meta ka thënë se vota e tij në Kuvend për këtë ligj ka qenë abstenim, për shkak se ka gjëra që sipas tij nuk janë mirë të rregulluara.

“Këtu thuhet që me këtë ligj ka me u përcaktu edhe banka, dmth në të ardhmen, ende dmth nuk është përcaktuar ende se ku do të vendoset banka ku do të ruhen qelizat”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se ndonëse shumë profesionist kanë marr pjesë në përgatitjen e këtij projektligji, sipas tij nuk janë marr rekomandimet e shumicës, pasi ai thotë që ka disa profesionist që janë ankuar.

“Nga organizata e cila merret me fertilizimin e asistuar mjekësor ka plot ankesa që ata kanë thënë që nuk janë marr për bazë. Psh te ekipi i fertilizimit të asistuar mjekësor, thuhet që duhet të jetë specialist i gjinekologjisë dhe obstetrikës me së paku 3 vite përvojë pune, unë muj me dalë me punu në projekte të tjera dhe jo si gjinekolog. Kërkesë e ekspertëve është që në ligj të specifikohet qartë, 3 vjet përvojë punë në gjinekologji”, ka thënë më tej Meta.

Meta ka kritikuar edhe çështjen e donatorit duke thënë që askund në ligj nuk është e specifikuar që mund të jap donacion vetëm njëherë.

“Ma gjej unë nuk e kam parë që specifikohet një gjë e tillë. Dmth duhet të rregullohet qartësisht donacioni i qelizave dhe importi i tyre, nuk është i përcaktuar. Dmth e lë mundësinë që me akte të tjera nënligjore të cilat nuk e dimë se çfarë do të ndodh. Unë mendojë që banka duhet të jetë në sektorin publik”, ka thënë Meta.

Në këtë projektligj sipas Metës gjithashtu nuk përcaktohet se ku do të bëhen analizat gjenetike.

“Dmth nuk përcaktohet se ku do të bëhen analiza gjenetike dhe nga kush. Në institucionin privat apo në atë publik shëndetësor. Donatori nuk është studiuar mirë se kush duhet të jetë dhe me këtë kemi mundësi incesti jashtëzakonisht të madhe”, ka thënë tutje ai.

Ai ka kërkuar që ky ligj si i tillë të kthehet dhe të vjen i përpunuar në mënyrë që deputetët në leximin e dytë t`i japin imputet e tyre.

“Mendoj që ky ligj duhet të jetësohet por që edhe të korrigjohet akoma për shkak të kolizioneve të ka me disa ligje të tjera në fuqi dhe disa impakteve që nuk i keni marr dhe nuk janë të definuara mirë”, ka thënë deputeti i LVV-së, Meta

Merita Vuthaj, kryesuese e grupit punues në MSH, ka thënë se me këtë ligj themelohet banka për ruajtjen e qelizave.

“Fizikisht banka ka me qenë e vendosur në Klinikën e Gjinekologjisë, në nivelin terciar”, tha Vuthaj.

Ndërsa kushtet, struktura e bankës dhe njësisë brenda institucionit shëndetësor, procedurat e marrjes, ruajtjes, shenjëzimi i qelizav riprodhuese dhe indeve riprodhuese dhe embrioneve, përcaktohet me akte nënligjore, pra me Udhëzim Administrativ.

“Kjo ka qenë arsyeja sepse ligji do të ishte shumë voluminoz nëse do t`i përshkruajmë të gjitha këto”, tha Vuthaj.

Kjo është kritikuar nga deputetët në debat pasi që sipas tyre kjo lë hapësirë për keqpërdorime.

Eliza Hoxha nga PDK-ja tha se kjo është dashur që të specifikohet, sepse Udhëzimin Administrativ mund ta ndryshoj secili ministër që vjen në pozitë.

“Mund të bëhen ndryshime drastike pasi ky ligj është tepër i ndjeshëm, duhet të precizohen, banka është tepër e çështje e ndjeshme që të rregullohet me udhëzim administrativ”, tha Hoxha.

Në kuadër të njësisë së fertilizimit të asistuar mjekësor ku do të jetë edhe banka në Klinikën e Gjinekologjisë, do të jetë edhe laboratori citogjenetik.

“Është bërë plani i veprimit, është ndarë kostoja, klinika i ka kryer detyrat e veta dhe po priten pajisjet dhe pritet të funksionalizohet”, tha tutje Vuthaj.

Në ligj është paraparë edhe dënimi me gjobë për ndërprerje të shtatzënisë dhe zgjedhje të gjinisë.

“Mendoj që kjo e krijon një vegëz që ai që do një djalë punë e madhe që paguan 20 mijë euro me tejkalu situatën, përderisa sot është vepër penale me zgjedh gjininë”, tha Eliza Hoxha, deputete nga PDK-ja.

Ajo ka thënë se dispozitat ndëshkuese të këtij ligji, bien ndesh me Kodin Penal.

‘Në këtë pikë mendoj se i jep mundësi sektorit privat, kurrgjë si kushton dikujt që do me pas patjetër një djalë me i harxhu 20 mijë se i harxhojnë nga 30-40 mijë në Turqi, pra nuk duhet të mbetet vetëm kundërvajtje por vepër penale”, tha më tej Hoxha.

Sipas Vuthajt, ligji i ka ndjekur të gjitha procedurat dhe ka dalë në debat publik dhe në platformën online ku kanë pranuar komente.

“Në adresën time si kryesuese kanë ardh 55 komente, 20 kanë qenë çështje teknike, 35 prej tyre i kemi analizuar me grupin punues dhe prej tyre i kemi pranuar 14, si të qena dhe e kemi marr kontributin e tyre”, ka thënë Vuthaj.