Qytetarët e Kosovës harxhuan rreth 5 milionë euro në vit në klinika private, shërbimi IVF do të kryhet në institucione publike

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, i cili synon të garantojë të drejtën riprodhuese të individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar në rrugë natyrore.

Xhevdet Pozhari, këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se janë saktësisht 7 mijë e 224 raste që brenda Kosovës e kanë kryer shërbimin IVF (In vitro fertilisation) në të kaluarën.

“Këto të dhëna janë vetëm brenda institucioneve private të vendit, nuk kemi informacione se sa raste janë që këtë e kanë bërë jashtë vendit, nga këto raste dalin rreth 30 milionë euro për 6 vjet që nëse e përpjesëtojmë në vit i bie që qytetarët tanë kanë paguar për këto procedura 5 milionë euro në vit” – ka thënë Pozhari.

Ai ka shtuar se janë ndarë më shumë se 1 milion euro për të filluar me infrastrukturën brenda Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për të funksionalizuar repartin e IVF.

Merita Vuthaj, e cila është kryesuese e grupit për hartimin e këtij Ligji në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se ky Ligj krijon bazë ligjore për funksionimin e të gjitha institucioneve që kryejnë fertilizim të asistuar mjekësor në Kosovë, përfshirë edhe atë publik.

Deri më tash në QKUK nuk është kryer një proces i tillë, andaj është bërë vetëm në institucione private, brenda dhe jashtë shtetit.

“Ekzistojnë 8 institucione private të cilat e kanë këtë shërbim, ndërsa ne ende nuk kemi pasur kushte e as institucion që kryen këtë shërbim”- ka thënë Vuthaj.

Realizimi i një fertilizimi të asistuar mjekësor kushton 3 deri në 4 mijë euro.

“Si Ministri e kemi hartuar një plan për funksionalizimin e repartit për IVF, një përllogaritje që e kemi bërë, nga viti 2016 janë raportuar mbi 7 mijë raste që kanë kryer IVF në 8 institucione private, Llogaritet që deri në 28 milionë euro i kanë marrë këto institucione, kuptohet me shumën prej 4 mijë euro për një procedurë” – ka thënë më tej Vuthaj.

Ndryshe, ky Projektligj javës së kaluar ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, tha se ky është një Ligj i rëndësishëm dhe tregoi se përderisa nuk ka qenë në ndonjë lidhje martesore i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca.