Mbathje sportive të ndaluara nga dogana. Foto: Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës asgjëson mbathje sportive të falsifikuara

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar dhe asgjësuar mbathje sportive të falsifikuara që cenojnë të drejtën e pronësisë intelektuale.

“Gjatë një kontrolli rutinë nga zyrtarët doganorë në ZBD Aeroport – Cargo, është identifikuar një sasi e konsiderueshme e mallrave të llojit mbathje sportive për meshkuj, të cilat bartnin shenjat dalluese të disa prej markave më të njohura ndërkombëtare”- thuhet në njoftim.

Gjatë ekzaminimit të detajuar, siç bën të ditur Dogana, është verifikuar se mallrat në fjalë janë të falsifikuara dhe shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale (DPI).

“Në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat e parashikuara në Kodit Doganor dhe të Akcizës (KDAK), mallrat e konstatuara si të falsifikuara janë asgjësuar në mënyrë të kontrolluar nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë. Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse, të parapara me legjislacionin në fuqi, për përfshirje në tregti të ndaluar dhe cenim të pronësisë intelektuale”- thuhet në njoftim.

Dogana thekson se do të vazhdojë luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimeve, duke siguruar mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe konsumatorëve.