Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

DnV: Dalja në votime deri në ora 17:00 është 38.9 për qind

Demokracia në Veprim (DnV) në bazë të raportimeve të vëzhguesve në terren ka njoftuar dalja në votime deri në orën 17:00 është rreth 38.9%, (me margjinë gabimi+/-0,75).

“Dhjetë orë që nga hapja e vendvotimeve në të gjithë vendin, është raportuar se procesi i votimit po rrjedh i qetë dhe me një interesim të shtuar të qytetarëve për të votuar. Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), dalja në votime deri në orën 17:00 është rreth 38.9% (me margjinë gabimi+/-0,75)”- thuhet në komunikatë.

Sipas DnV-së, regjionet me daljen më te madhe, mbi mesataren në nivel vendi (ose mbi 40%) janë ai i Prishtinës, komunave me shumicë serbe dhe ai i Ferizajt. Kurse, regjionet me dalje sa mesatarja në nivel vendi janë Gjilani dhe Mitrovica e Jugut ndërsa me dalje më të ulët sesa mesatarja në nivel vendi janë regjioni i Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës.

“Dukuria më prevalente që e ka përcjellë procesin e votimit që nga mëngjesi kishte të bëjë me ankesat e qytetarëve për t’a gjetur vendvotimin e duhur. Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 17:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listën e Votuesve, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në 53% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Madje, në 18% të vendvotimeve është raportuar që ka pasur deri në 50 raste kur votesit kanë pasur vështirësi për të gjetur vendvotimin e duhur”- bëhet e ditur tutje në komunikatë.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.