Foto screenshot

Diskriminimi në paga, protestojnë punëtorët e Filarmonisë së Kosovës

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Filarmonisë së Kosovës (SHSFK) ka protestuar sot para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak të, siç thonë ata, diskriminimit në paga që është duke u bërë punëtorëve të këtij institucioni pas hyrjes në fuqi të Ligjit të pagave.

Protestën e tyre punëtorët e Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë e kanë nisur me një performancë korale të shkurtër të shkëputur nga vepra “Dasma arbëreshe” e Rauf Dhomit.

Të mbështetur edhe nga drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, punëtorët e Filarmonisë kanë kërkuar nga MKRS që me urgjencë ta rregullojë këtë çështje duke shmangur diskriminimin që po u bëhet punëtorëve të FK-së.

Shaban Behramaj, kryetar i SHSFK-së, ka thënë për KALLXO.com se si pasojë e një gabimi në lidhje me Ligjin e pagave, tash e tre muaj ka ndodhur një diskriminim në paga brenda institucionit.

“Ashtu edhe siç e kemi cekur në deklaratat publike se anëtarë (punëtorë të Filharmonisë) të cilët kryejnë të njëjtat detyra dhe të njëjta përgjegjësi dhe kanë të njëjtën kontratë paguhen ndryshme nga njëri-tjetri. Kurse, një pjesë e tyre kanë marrë edhe paga retroaktive dhe kjo ka ngjallur një pakënaqësitë te të gjithë anëtarët korit”- tha ai.

Sipas tij, ata kanë pasur një takim me ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku, i cili siç tha Behramaj ka premtuar rregullimin e kësaj çështjeje. Mirëpo, Behramaj tha se MKRS nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të rregullohet kjo çështje.

Ndërsa, Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë se kërkesat SHSFK-së janë të ligjshme dhe i ka bërë thirrje ministrit Çeku që të bisedojë dhe t’ i plotësojë kërkesat e sindikalistëve të Filarmonisë.

“Uroj që ministri Çeku dhe të tjerët të ulen dhe të bisedojnë me punëtorët e Filarmonisë dhe këta njerëz dhe të realizojnë kërkesën e tyre që është shumë reale që të mos kemi dallime në paga për të njëjtën punë të kryer”- ka thënë ai.

Jasharaj ia ka kujtuar Qeverisë premtimin se nuk do të ketë diskriminim në paga për nëpunësit shtetërorë që bëjnë të njëjtën punë

SHSFK-së thotë se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e saj atëherë do të shqyrtojnë forma të tjera të protestave sindikale.