Gjendja e Shtëpisë së Kulturës në Zhegër të Gjilanit. FOTO: KALLXO.com
Dikur qendër kulture, Shtëpia e Kulturës në Zhegër sot në gjendje të mjerueshme
Dikur Shtëpia e Kulturës “Idriz Seferi” në fshatin Zhegër të Gjilanit njihej si vend i aktiviteteve kulturore dhe sportive, artit, ansambleve, shfaqjeve teatrale dhe i organizatave joqeveritare.
Ky vend ishte shndërruar në një pikë takimi ku artistë, pensionistë, të rinj e aktivistë mund të zhvillonin aktivitete të ndryshme apo edhe të ishin spektatorë të këtyre ngjarjeve.
Ndërkaq, sot të gjitha këto i përkasin të kaluarës.
I mbushur me xhama të thyer, bërllok, me mure të shkarravitura, tualetet e shkatërruara dhe të ndotura, ky objekt i cili tash e sa vite ka mbetur në mëshirën e fatit nuk e jep më përshtypjen e një Shtëpie të Kulturës.
Muadin Haziri, kryetar i këshillit të fshatit Zhegër, kujton se si dikur ky objekt kulturor mirëmbahej dhe ishte model për shumë fshatra të Gjilanit.
“Ka qenë për lakmi kjo, ka qenë model për shumë fshatra të komunës së Gjilanit se qysh mirëmbahej”- thotë Haziri për KALLXO.com.
Si përfaqësues i këtij fshati ai shprehet i indinjuar me gjendjen në të cilën ka përfunduar ky objekt.
Sipas tij, kërkesat e paraqitura në institucionet komunale kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Kjo tash në këtë gjendje… Është bo para syve tanë, para këtyre banorëve. Ne nuk mund tash ta drejtojmë gishtin te dikush por dua ta theksoj që i gjithë ky investim është bërë, të gjitha kërkesat që i kemi paraqitur në institucionet komunale ato përherë kanë hasur në vesh të shurdhër” – ka thënë kryetari i fshatit.
“Nuk kanë qenë në gjendje së paku institucionet komunale pa dallime qeverisje që ta caktojnë një mirëmbajtës apo një shtëpiak në këtë hapësirë se ky kapital është kontribut i qytetarëve edhe për nevojat, interesat e përbashkëta që i shfrytëzojmë” – ka shtuar ai.
Haziri ka shpjeguar se Shtëpia e Kulturës pas luftës së fundit në Kosovë është rinovuar dhe ka funksionuar për disa vite dhe aty janë zhvilluar edhe aktivitetet e forumit rinor dhe aktivitetet në shoqërinë rinore “Idriz Seferi”.
“Pas luftës kjo shtëpi është rinovu në tërësi, duke nisur nga çatia deri në dysheme, me dritare, me të gjitha mekanizmat… Kjo në atë periudhë pas lufte diku nja 3-4 vite ka funksionuar… edhe në vikend këtu në hapësirë ka pasur aktivitete të muzikës e gjithçka duke e përfshirë sportin, krejt” – ka thënë ai.
Si shumë banorë që ai përfaqëson, Haziri uron që Shtëpia e Kulturës të mos mbetet në mëshirën e fatit.
Sipas tij, kërkesë e shumicës është që të bëhet rrënimi i këtij objekti dhe të ndërtohet një objekt i ri kulturor që i përmbush kërkesat dhe nevojat e banorëve për një jetë kulturore të mirëfilltë.
“Tash në rolin tim personal mund ta shpreh atë mendimin tim, por duke e marrë edhe një opinion të qytetarëve, të subjekteve politike, organizatave joqeveritare, domethënë shumica është e opinionit që ky objekt të rrënohet por jo të rrënohet dhe të mbetet në mëshirën e askujt” – ka thënë ai.
“Ne e kemi një propozim që do ta paraqesim dhe një kërkesë: një objekt të ri i cili do t’i përmbushë kushtet, kemi paraparë që aty të jetë një hapësirë edhe për pensionistë, hapësirë për rininë, OJQ-të, që të gjithë t’i krijojnë ato farë mundësitë e aktiviteteve të ndryshme brenda atij objekti, edhe kjo pjesë shërben si fushë e sportit por edhe ta kenë bashkangjitur një hapësirë të parkut me gjelbërim apo pa marrë parasysh hapësirë e kufizuar”-ka shtuar Haziri.
Në anën tjetër, Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se Shtëpia e Kulturës në Zhegër ka qenë e rinovuar tre ose katër herë nga qeverisjet e kaluara por, siç ka thënë ai, për shkak të mosmirëmbajtjes së duhur ose punëtorëve rezidentë në atë shtëpi objekti është në gjendjen e tanishme.
“Me sa kam informacione, aty ka operuar edhe një lokal privat, përderisa ka qenë gjatë punës së tyre nuk ka pasur dëmtime të tilla por në momentin që janë largu ajo veç është shkatërru”- ka thënë Zeqiri.
Megjithëse Komuna e Gjilanit ka planifikuar ta rinovojë Shtëpinë e Kulturës në Zhegër, ky institucion po pret mbledhjen e këshillit të fshatit për dakordim.
“Ende nuk është mbledhur këshilli i fshatit se ka mbetë me e mbajtë një takim për ta diskutu këtë çështje… Është çështja që qato mjete që i kemi destinu për ta rinovu (Shtëpinë e Kulturës) ata këshilli i fshatit po dojnë me i destinu për tjetër infrastrukturë e tash kemi mbetë deri ta mbajmë një takim edhe me u dakordu me ta, me shiku qysh po ia bëjmë” – ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.
“Ne e kemi planifiku për ta renovu… edhe tash së shpejti kemi mbet me e mbajtë një mbledhje me shiku me këshillin e fshatit çka po dojnë me bo”-ka shtuar ai.
Shtëpia e Kulturës në Zhegër thuhet se është ndërtuar para viteve ’70-ta.