Digjet trafoja elektrike në Gjilan, QMF në 'Dardani' mbetet pa rrymë

Mbrëmë rreth orës 22:30, trafoja elektrike afër Qendrës së Mjekësisë Familjare “Dardania” në Gjilan ka marrë flakë, si pasojë e kësaj kjo qendër ka mbetur pa furnizim me energji elektirke dhe e ka të pamundur të ofrojë shërbime për pacientët, përveç në rastet emergjente.

Drejtoresha e QKMF-së, Arbenita Hajdari, sqaron se punëtorët e QMF-së “Dardania” janë sistemuar në qendra tjera, pasi që kjo qendër është jashtë funksionit.

“Jo, për momentin është jashtë funksionit QMF “Dardania”. Është ftohtë dhe vetëm shërbimin e urgjencës e ofrojmë për momentin”, sqaroi ajo për KALLXO.com.

Ajo thotë se punëtorët e KEDS-it janë në terren dhe u kanë thënë se deri në mesditë do te rregullohet ky problem.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se mbingarkesa ka shkaktuar djegien e trafos.

Ai sqaron se ekipet janë në terren dhe se do të rregullohet problemi me trafon, duke potencuar se probleme me djegien e trafove kanë pasur edhe në disa qytete tjera.