Digjen katër vetura në një parking te 'Rruga B' në Prishtinë

Katër automjete janë përfshirë nga zjarri sot rreth orës 03:00 në një parking në rrugën “B” në Prishtinë.

Dy nga automjetet janë djegur tërësisht, ndërsa dy të tjetrat të cilat kanë qenë të parkuara në afërsi janë dëmtuar pjesërisht.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Përveç dëmeve materiale, Ahmeti ka thënë nuk raportohet për persona të lënduar.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin” – tha ajo.

Aktualisht policia ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie.