Ilustrim

Dhunë në familje: Dy raste në Prizren dhe nga një në Prishtinë, Gjakovë dhe Vushtrri

Policia e Kosovës në raportin e përditshëm 24 orësh ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje.

Sipas forcave të rendit, në të gjitha këto raste viktimë janë gratë nga burrat.

Një burrë u arrestua në Prishtinë pasi i njëjti dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, në Prizren dy raste u regjistruan të dhunës në familje.

Së pari, një rast është regjistruar më 24 nëntor.

“Raportohet se viktima femër kosovare ka kërkuar tretman mjekësor në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, pasi që me datën e lart-cekur ish bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull  kosovar i ka shkuar te banesa dhe e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti vazhdon të hetohet” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, një rast tjetër i dhunës në familje u regjistrua një ditë më vonë, më 25 nëntor.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se kunati i saj, i dyshuari mashkull  kosovar në vazhdimësi i shkakton dhunë psikike dhe se sot e ka kanosur duke i thënë se do t’ia lëndojë fëmijët. Si pasojë e shqetësimeve viktima është hospitalizuar në spitalin e Prizrenit. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në raportin 24 orësh të forcave të rendit.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme në Gjakovë u raportua për një dhunë në familje.

“Viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje është kërcënuar nga bashkëshorti saj i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar mbajtje” – njofton policia.

Sipas raportit 24 orësh, një rast i dhunës në familje u raportua edhe në Vushtrri më 25 nëntor.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar e ka dëbuar nga shtëpia. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt” – thuhet në njoftim.

Kujtojmë se dje herët në mëngjes, një burrë në Prishtinë vrau gruan e tij.

Prokuroria: Burri dyshohet se vrau gruan me sëpatë

www.kallxo.com