Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese hedh poshtë pretendimet e Pjetër Shalës për shkelje të drejtave të tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshëm dhe e ka hedhur në tërësi referimin e Pjetër Shalës lidhur me shkeljet e pretenduara të të drejtave të tij themelore.

Ky vendim është marrë më 29 gusht 2023 nga paneli i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti.

Më 11 korrik 2023, Pjetër Shala përmes përfaqësuesve Jean-Louis Gilissen, Hédi Aouini dhe Leto Cariolou kishte paraqitur pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese një kërkesë.

Në kërkesë, parashtruesi Shala u ankua për shkelje të të drejtave të tij themelore në lidhje me procedurën penale kundër tij, e cila po zhvillohet në Dhomat e Specializuara.

Në veçanti, parashtruesi pretendoi se konstatimi i trupit gjykues se deklaratat e dhëna prej tij në Policinë Gjyqësore Federale belge në vitin 2016 nuk ishin të papranueshme si prova dhe refuzimi i mëvonshëm i trupit gjykues për të rishqyrtuar gjetjen e tij, shkeli të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Sipas vendimit, nuk është roli i Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë, si çështje parimore, nëse lloje të veçanta të provave mund të jenë të pranueshme.

Përkundrazi, pyetja se cilës duhet t’i përgjigjet kjo dhomë është nëse procedurat, në tërësi, duke përfshirë mënyrën në të cilën u morën provat, janë të drejta.

Tutje, sipas vendimit, paneli ka konstatuar se referimi është i parakohshëm dhe rrjedhimisht e ka shpallur të papranueshëm në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregullën 14 (f) të Rregullores së Punës të Dhomave të Specializuara.

‘’Edhe kërkesa e parashtruesit Shala për të urdhëruar pezullimin e procedurës penale në pritje kundër tij gjithashtu duhet të hidhet poshtë’’ – thuhet në vendim.

Krimet për të cilat Pjetër Shala akuzohet pretendohet se u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që ishin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të prokurorit të specializuar, përfaqësuesit të viktimave dhe të mbrojtjes.

Artikujt e tjerë lidhur me këtë çështje mund t’i lexoni në këtë LINK.