Detaje rreth temave të diskutuara ndërmjet Lajçakut dhe Hamzës në Mitrovicë të Jugut

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza (PDK) ka pritur sot në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas njoftimit të komunës, në takim është biseduar për situatën e sigurisë së përgjithshme në Kosovë, konkretisht për zhvillimet në Mitrovicë.

Po ashtu, Lajçak e Hamza kanë diskutuar edhe për çështjen e dialogut dhe atë të urës së Ibrit, me qëllim që të respektohet dhe zbatohet kushtetuta e ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve, vijon njoftimi.

Në njoftim thuhet se dy palët u pajtuan për të thelluar bashkëpunimin në mes të Komunës së Mitrovicës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian, në dobi të paqes, prosperitetit dhe krijimit të kushteve për jetë të përshtatshme për të gjithë pa dallim, me prioritet zbatimin e ligjit.

Pas takimit me kryetarin Hamza, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak u deklarua edhe për çështjen e hapjes së plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

“Besoj që gjithçka që përfshin të dy palët duhet të merret vesh po nga të dy palët. Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e  përsëris gjithmonë që dialogu  duhet të përdoret si platformë për marrëveshje.”– tha Lajcak.

Ai u shpreh se dëshiron që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh.

Ndërsa, kreu i kësaj komune, Hamza pohoi se pjesë e diskutimit ka qenë edhe çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushtetua e të gjitha ligjet në fuqi.

“Kemi biseduar për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe për çështjen e dialogut për zhvillimet që janë dukë ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në këtë pjesë të Kosovës. Gjithsesi se ka qenë temë çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushtetua e të gjitha ligjet në fuqi që garantojnë të gjithë qytetarëve njerëzve mallrave dhe gjithçka tjetër” – tha Hamza.

Ai theksoi se kanë biseduar edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet në këtë pjesë dhe është prezente në këtë pjesë të Kosovës.

Pas takimit me kryetarin Hamza, Lajçak ka nisur takimin me OJQ Aktiv në Mitrovicën Veriore. At ai ka takuar Dusan radakoviq dhe Miodrag Miliçiç nga kjo OJQ.

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës më 28 prill.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.