Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE

Detaje rreth takimit Kurti-Vuçiq sot në Bruksel

Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët.

Takimi i përbashkët do të fillojë nga ora 18:00 të martën.

Në njoftim bëhet e ditur se palët pritet të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës.

Pika e dytë e rendit të ditës pritet të jetë diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit, i cili është përpiluar nga ekipi menaxhues.

Ekipi menaxhues përbëhet nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar,  Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se ka qenë i gatshëm që ta shkruajë vetë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por që sipas tij një gjë e tillë nuk u lejua nga Bashkimi Evropian.

Në fund të takimit të sotëm, për media do të deklatohet diplomati i BE-së, Josep Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar dje për në Bruksel. Ai dje është telefonuar nga Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Chollet përmes një reagimi në Twitter tha se pati një bisedë shumë të mirë me kryeministrin Kurti për disa tema, përfshirë këtu edhe “rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe”.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Dakordimi i Ohrit, çka pas formimit të Komitetit të përbashkët monitorues?