Zyrtari i Policisë së Kosovës Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Detaje nga sulmet me mjete shpërthyese afër stacioneve policore në veri

Në një periudhë brenda tri orëve, gjatë natës së sotme u dëgjuan pesë shpërthime në veri të Kosovës. Sipas të dhënave të Policisë, sulmet janë bërë me shok-bomba.

Këto sulme u kryen në drejtim të stacioneve policore e po ashtu edhe në drejtim të veturave zyrtare të Policisë së Kosovës.

Dy nga shpërthimet ndodhën në oborrin e stacionit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut e dy të tjera në afërsi të stacionit policor në Zveçan.

Në Mitrovicën e Veriut ngjarja ndodhi rreth orës 01:04, dy shok-bomba dyshohet se u hodhën brenda rrethojës së stacionit policor.

Vetëm 34 minuta më vonë, dy shok-bomba të tjera u hodhën në afërsi në stacionin e Policisë në Zveçan.

Në raportin 24-orësh policor u tha se dyshohet se shok-bombat janë hedhur nga një automjet, i cili ishte në lëvizje dhe është larguar menjëherë nga vendi.

Policia ka thënë se të dyja rastet janë duke u hetuar nga njësitet relevante policore dhe se nuk ka të lënduar nga ngjarjet që ndodhën.

Para se të ndodhnin këto shpërthime, në këto dy qytete ndodhën edhe dy sulme të tjera në drejtim të ekipeve të Policisë së Kosovës.

Dje rreth orës 23:30, në rrugën Knjaz Millosh persona të panjohur gjuajtën me gurë dhe shok-bombë automjetin zyrtar të Policisë.

Të dyshuarit më pas ikën në drejtim të panjohur, e përveç dëmeve materiale u raportua se nuk ka të lënduar.

Në anën tjetër, edhe gjatë ditës, rreth orës 10:18 në Zveçan u dëmtua edhe një veturë tjetër e PK-së.

Tre persona të maskuar raportohet se kanë gjuajtur me gurë në drejtim të veturës zyrtare e më pas janë larguar.

Edhe në këtë rast nuk u raportua për ndonjë të lënduar përveç dëmeve materiale në veturë zyrtare.

Prej 29 majit, serbët lokalë në veri kanë protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Që nga atëherë dhjetëra vetura të Policisë së Kosovës janë dëmtuar e janë djegur, madje edhe disa policë të Kosovës kanë mbetur me lëndime trupore.