Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Dështon futja në rend të ditës e rishikimit të buxhetit

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë tjera në pushtetu, në seancën e sotme të Kuvendit kanë kërkuar që në rend të ditës si pikë e parë të futet rishikimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2020, që përmes një procedure të përshpejtuar ky projektligj të miratohet në parim.

Por kjo pikë nuk u arrit të futet në rend të ditës për tu shqyrtuar, pasi nuk mori votat e nevojshme.

“Kemi pasur 56 vota për, 48 vota kundër, që do të thotë propozimi apo mocioni procedural nuk kalon sepse nuk i ka marrë dy të tretat e nevojshme për ndryshim të rendit të ditës”, tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Paraprakisht, deputeti Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje tha se është e papranueshme që të shkohet në procedurë të tillë.

“Duhet ta shohim, të ketë llogaridhënie prandaj është e papranueshme të shkohet në procedurë të tillë”, tha ai.

Arben Gashi nga LDK-ja tha se konsiderojnë që është me rëndësi që buxheti të trajtohet në prani të kryeministrit.

“Po flasim për shqyrtim në parim, në lexim të dytë do të vijë kur të kryhen procedurat. Të japim një mundësi që të ketë një buxhet të rishikuar”, tha ai.

Kurse, Bedri Hamza nga PDK-ja tha se është befasuese një kërkesë e tillë kur dihet që qeveria e klauar është vonuar në procedimin e buxhetit.

“Ne kemi menduar që është hera e fundit që ky Kuvend do të ballafaqohet me situata të tilla. Është prej dokumenteve më të rëndësishme. Nëse është kështu, atëherë si po kërkohet që një document i rëndësisë së tillë me një vëllim 600 faqe dhe si ka mundësi që me gjithë atë numër të projekteve të përpunohet prej deputetëve”, tha ai.

Grupi Parlmentar i PDK-së kërkoi që rishikimi i buxhetit t’i plotësojë të gjitha afatet ligjore.

“Nuk mund të japim votën për, nuk duhen vendime ad-hoc”, tha Hamza.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Daut Haradianj duke arsyetuar kërkesën tha se kjo është bërë pasi kryeministri Avdullah Hoti do të jetë jashtë Kosovës këtë javë.

Edhe Nisma Socialdemokrate e ka përkrahur rishikimin sa më shpejt të buxhetit.