Dëshmitarët gjobiten për mospërfillje të gjykatës

300 euro gjobë i janë shqiptuar dy dëshmitarëve në një seancë gjyqësore në Mitrovicë

Në seancën kundër të akuzuarve Senad Demiroviq dhe Xhelal Sylejmani për kontrabandim me emigrantë, janë dënuar dëshmitarët Burim Makiqi me 100 euro gjobë dhe Arafat Krasniqi me 200 euro gjobë.

Trupi gjykues kanë sqaruar se gjobat janë dhënë për shkak të mungesave në gjykatë.

Gjykatësi Mehmeti ka thënë se dëshmitari Makiqi ishte ftuar në mënyre të rregullt nga gjykata por se mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Paraprakisht në gjykatë u dëgjua dëshmia e këtij dëshmitari, lidhur me rastin e të akuzuarve Senad Demiroviq dhe Xhelal Sulejmani nën akuzën se në vitin 2006 kishin kontrabanduar emigrantë, me destinacion të fundit Italinë.

Pas pyetjes së prokurorit Njazi Rexha, dëshmitari Burim Makiqi ka sqaruar se atë kohë ai kishte punuar si recepsionist ne motelin “ Euro Petroll “, dhe se në atë motel ishin sjellur persona nga Shqipëria por se nuk e dinte nga kush ishin sjellur.

Makiqi ka thënë se personave që kishin shkuar në motel ju ishin kërkuar dokumentet e identifikimit por se kishte raste kur lejoheshin të hynin edhe pa këto dokumente, me lejen e pronarit.

Dëshmitari nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me rastin, i njëjti ka potencuar për disa pyetje se nuk i kujtoheshin dhe se kishte kaluar një kohë e gjatë prej kohë se ngjarjes.

Para gjykatës dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari Arafat Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se po ishte e vërtetë se të pandehurit kanë transportuar emigrantë shtetas të Shqipërisë nga Mitrovica për në kufirin Kosovë – Serbi.

Tutje në dëshminë e tij dëshmitari Krasniqi ka thënë se qëllimi ishte që këta persona të dërgoheshin për në Itali.

Ndryshe sipas akuzës së Prokurorisë në Mitrovicë, Senad Demiroviq dhe Xhelal Sulejmani akuzohen së në shtator të vitit 2006 në vazhdimësi, në bashkëkryerje më të akuzuarin Fatmir Ibrahimoviq , në disa raste në mënyre aktive janë marrë me kontrabandimin e emigrantëve, në atë mënyre që me marrëveshje paraprake kanë organizuar grupe të qytetarëve nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Ata fillimisht i sjellin të dëmtuarit në motelin “ Euro Petroll “ në Vushtrri, që ishte edhe lokacioni në të cilin u kap grupi i fundit i përbërë nga nëntë shtetas të Shqipërisë, ata ishin zënë edhe në shtëpinë e Enis Buqezit në Mitrovicë.

Në akuzë tutje thuhet se të akuzuarit sipas akuzës kishin planifikuar që këta persona po përgatiteshin t’i transportonin me automjete në kufirin administrativ pikëkalimi Kosovë – Serbi, edhe pse nuk i përmbushnin kushtet e nevojshme për hyrjen legale në Serbi, ndërsa destinacioni përfundimtar i grupit ishte Italia.

Seanca ndaj të akuzuarve pritet të vazhdojë edhe sot në Gjykatën e Mitrovicës.