Deputeti i PDK-së thotë se Thaçi votoi për themelimin e Gjykatës Speciale për ta shpëtuar Kosovën nga akuzat e Serbisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Isak Shabani ka nisur fjalimin e tij në Kuvend duke komentuar vendimin e djeshëm dënues të Gjykatës Speciale që shpalli fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Shabani ka thënë se kjo gjykata dje ka dënuar drejtësinë dhe jo çlirimtarët.

Por në fjalimin e tij, deputeti i tanishëm i PDK-së “amnistoi” kolegët e partisë dhe ish-shefin e tij të partisë për votat që i kishin dhënë në 2015 për ta votuar në Kuvend të Kosovës, themelimin e këtij tribunali.

“Kjo gjykatë është e ndërtuar mbi të dhënat e fabrikuara të Dick Marty, mbi dëshmitë e rrejshme, mbi shpikjet e organeve serbe. Për të shpëtuar Kosovën nga këto akuza, deputetët e Kuvendit dhe udhëheqësi i UÇK-së Hashim Thaçi, në bazë të kërkesave të shteteve demokratike e përkrahi themelimin e kësaj gjykate me qëllim që të largohen këto re të zeza nga qielli i Kosovës, dhe atë me çmimin e sakrifikimit edhe të vetvetes”, ka thënë Shabani.

Sipas tij Gjykata Speciale është selektive duke mos u gjykuar krimet e bëra në Prekaz, Reçak, Meje e vende të tjera ku janë kryer krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kjo Gjykatë është e padrejtë sepse është selektive dhe është duke u marrë me shqiptarët të cilët ishin viktima të krimit serb. Pse nuk po gjykohen kriminelet të bëra në Prekaz, Reçak, Mejë, Qyshk etj. Ku mbeti ndriçimi i krimit të burgosurve në Dubravë, pse nuk trajtohet ky krim, kur jemi mbi 800 dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre dhe vet jam i mbijetuar i kësaj masakre”, ka shtuar Shabani.

Krerët e OVL-UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dje u shpallen fajtorë nga Gjykata Speciale.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtor sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Hysni Gucati u dënua me 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë dhe Nasim Haradinaj me 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Ligji për Gjykatën Speciale ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, në kohën sa Hashim Thaçi ishte zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryetar i PDK-së.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në momentin e votimit në seancë ishin të pranishëm 117 deputetë.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Hashim Thaçi i kishte quajtur patriotë të rrejshëm dhe të padijshëm deputetët që kishin votuar për mos themelimin e Gjykatës Speciale.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.