Miratohet Gjykata Speciale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë “Po” Gjykatës Speciale në tentimin e dytë për ta kaluar atë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në momentin e votimit në seancë ishin të pranishëm 117 deputetë.

Miratimi i këtyre ndryshimeve erdhi pas një dite të rëndë debatesh ndërmjet deputetëve të koalicionit qeveritar dhe atyre të opozitës, në shumë raste edhe me fjalët më banale.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, doli në foltore të Kuvendit për t’i ftuar deputetët që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Gjykata Speciale kurrë nuk besoj që ka ardhë prej Beogradi”, tha Veseli.

“Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, u shpreh ai.

Por Veseli pati një porosi edhe për ndërkombëtarët të cilëve u tha që sikur të kishin qenë në krye të detyrës në vitet e pasluftës vjet sa kanë qenë përgjegjës për çështje të drejtësisë në Kosovë t’i adresojnë të gjitha dyshimet që përmenden në raportin e Dick Martyt.

13:29

Pasi tregoi një anekdotë me gurët e mullirit, deputeti I PDK-së Nait Hasani tha se “ujemin e kësaj gjykate do ta marrë Serbia”.

Deputeti që i përket partisë në pushtet dhe që ka qenë ndër më të zëshmit në kundërshtim të iniciativës për ndryshime kushtetuese, ka thënë se Gjykata Speciale nuk po bëhet për të vënë drejtësi në krimet e kryera gjatë luftës.

“Kjo gjykatë nuk dënon masakrën e Celinës, as ato në Drenicë… nuk dënon asnjë serb për krimet e kryera”, tha Hasani.

13:09

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, tha sot gjatë debatit në Kuvend se deputetëve po u bëhet presion psikologjik dhe se bota demokratike, sipas tij, po hesht para këtij presioni.

“Kjo formë e presionit psikologjik po bëhet para syve të miqve tanë që po na ndihmojnë në formimin e shoqërisë demokratike dhe para këtij presioni po heshtin të gjithë për shkak të agjendave politike”, tha Limaj gjatë seancës së Kuvendit.

Sipas tij, themelimit të Gjykatës Speciale i mungojnë argumentet.

“Ende nuk kam dëgjuar argument të qëndrueshëm pse duhet ndryshuar Kushtetuta, ende nuk kam dëgjuar pse Kuvendi duhet të heqë dorë nga kompetencat të cilat ia kanë dhënë qytetarët e Kosovës, ende nuk kam dëgjuar pse po e fusin Kosovën edhe një herë në shantazh”, tha Limaj.

“Nuk po votojmë ligj por po votojmë dënim. Kush e ka lexu ligjin, e sheh këtë”, u shpreh ai.

12:16

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje i ka ftuar deputetët, sidomos ata që vijnë nga radhët e ish UÇK-së, të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

“Ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të cilët edhe në qoftë se edhe një herë të vetme kanë pasur të veshur uniformen e UÇK-së, nëse vetëm edhe një herë kanë marrë frymë në petkun e asaj uniforme, mos e votoni themelimin e gjykimit të asaj në emër të së cilës luftuat. Votoni kundër, dhe pohoni dëshminë e dëshmorëve”, tha Haxhiu.

11:52

Edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje deklaroi kundërshtimin për propozimin për ndryshimet kushtetuese.

Konjufca vuri në pyetje propozimin që e risolli qeveria në Kuvend, një muaj pasi i njëjti ishte votuar kundër.

“Askund në botë nuk formohet një gjykatë vetëm për njërën palë në konflikt”, tha Konjufca.

Në një polemikë me Konjucën, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, dha arsyen e tij pse po e mbështet themelimin e Gjykatës Speciale.

“Do të ndodh një e keqe, por do të ndërpritet një e keqe shumë më e madhe nëse e bëjmë të kundërtën”, u shpreh Grabovci.

11:27

Por Ramush Haradinaj i AAK-së ka kundërshtuar propozimin për ndryshimet kushtetuese.

“Nuk po i themi “jo” ligjit, nuk po i themi “jo” letërkëmbimit të Presidentes Jahjaga… por i themi ‘Po’ një gjykate vendore”, tha Haradinaj.

“Lëni ato përralla për premtime të ndërkombëtarëve sepse jemi mësuar me to”, u shpreh Haradinaj.

11:24

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kaq kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese të cilat sot po shqyrtohen në seancën e Kuvendit.

Sipas Isa Mustafës, Gjykata Speciale duhet të themelohet.

“Kosova nuk mund të ndërtohet dhe zhvillohet duke u izoluar nga vendet mike. Përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë dhe mbetet qenësore për Kosovën”, u shpreh shefi i qeverisë.

“Kërkoj nga ju që t’i tejkaloni ndasitë politike dhe t’i miratoni këto ndryshime”, tha Mustafa.

Adem Grabovci nga PDK ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie i jep mbështetje themelimit të Gjykatës.

Ai u shpreh se PDK ka bërë konsultime të gjera me faktorët vendorë e ndërkombëtarë.

“Është një vendim i vështirë. PDK ka bërë konsultime me të gjithë”, tha Grabovci.

“Ne nuk i kemi ikur dhe nuk i frikësohemi drejtësisë. Ne kërkojmë që të ketë drejtësi. Jemi këmbëngulës dhe kemi premtime nga miqtë tanë që ky proces do të jetë i drejtë, i paanshëm, i pandikuar dhe do të zhvillohet mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve kredibilë”, u shpreh ai.

Edhe Ismet Beqiri nga LDK, në një fjalim të shkurtër, i dha mbështetje këtyre ndryshimeve të propozuara.

“Është koha t’i marrim përgjegjësitë tona, prandaj LDK do të votojë për ndryshimet e kërkuara”, tha Beqiri.

11:14

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë refuzuar propozimin e partive opozitare që një draft-rezolutë për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- 1999 të futet si pikë e parë e rendit të ditës.

Nga deputetët e pranishëm në sallë, 55 ishin kundër propozimit, 42 votuan “për”, ndërsa 5 abstenuan.

10:28

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka hapur seancën e Kuvendit në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është miratimi i ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale.

Para se ta marrë fjalën kryeministri Isa Mustafa për ta arsyetuar propozimin e qeverisë për këto ndryshime kushtetuese, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta japë një opinion rreth riprocedimit të kësaj çështjeje e cila nuk kishte kaluar në Kuvend më 26 qershor.

“Amandamenti që nuk ka kaluar para një muaji nuk ka qenë dashur të riprocedohet fare pasi që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është obligim kushtetues I Kryetarit të Kuvendit që çfarëdo amandamentimi kushtetues ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Po e pyes se a është i vetëdijshëm që me këtë vlerësim po shkelet me të dyja këmbët Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë Albulena Haxhiu.

Veseli ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion, i cili drejtohet nga vetë Haxhiu, që të mblidhet dhe për 10 minuta ta japë një vlerësim, por kjo nuk është pranuar nga deputetja.

09:42

Sot Përpjekja e Dytë Speciale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë sot para vetes për herë të dytë dosjen e Gjykatës Speciale.

Seanca e Kuvendit e cila pritet të fillojë në orën 10 parashikohet që të përshkohet me debate të ashpra ndërmjet koalicionit qeveritar që e mbështet themelimin e kësaj gjykate dhe opozitës e cila e kundërshton një ide të tillë.

Herën e parë, më 26 qershor, propozimi për ndryshimet kushtetuese që i hapte rrugë themelimit të gjykatës kontroverse nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave për shkak se një numër i deputetëve të PDK-së zgjodhën ta kundërshtojnë apo të abstenojnë në votim.

Që nga atëherë, lidershipi i PDK-së ka ndërmarrë masa me deputetët kundërshtues në takime të shumta për t’i bindur ata që ta mbështesin themelimin e gjykatës e cila do t’i gjykonte pretendimet se drejtues të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime në periudhën e luftës së viteve 1998-1999 dhe pas përfundimit të saj.