Deputeti Elbert Krasniqi kërkon që Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian të shtohet në listën e festave zyrtare në Kosovë

Me 33 vota për, 26 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Elbert Krasniqi, deputeti i komunitetit egjiptian, ka kërkuar që të përfshihet 24 Qershori – Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian në festat e kalendarit zyrtar të Republikës së Kosovës.

“Komuniteti egjiptian feston 24 Qershorin në të gjitha shtetet e Ballkanit si dhe është dita kur fillojnë përpjekjet e institucionalizimit të ndjenjave etnike të ruajtura përgjatë shekujve në ndërgjegjen e komunitetit”, tha ai.

Krasniqi tha se sot kërkojnë të njihet e drejta e tyre me ligj, që sipas tij nuk iu mohohet as grupeve tjera etnike në Kosovë.

Komisioni për festat zyrtare e vlerëson se Projektligji i ploteson kushtet e parapara dhe i rekomandion Kuvendit ta miratojë në parim.

Rexhep Selimi, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë Projektligj.

“LVV është e bindur dhe e qartë që ky komunitet duhet të mbështetet ashtu si komunitetet e tjera”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se nuk e përkrahin këtë Projektligj, pasi që sipas tij, duhet hequr e shtuar festa të tjera.

“Ky Projektligj ka nevojë për shumë ndryshime dhe ky ndryshim për një nen po bëhet me qëllim me përça komunitetin e më kriju situata të avantazhit për disa të partive politike. Për ne, në mënyrën se si ka ardhë është i papërkrahshëm. Ne jemi dakord që të kemi disa elemente; ditën e Evropës, duhet të hiqet si ditë pushimi e të bëhet si ditë përkujtimi, po ashtu edhe për rastet kur festat bien në ditë pushimi, edhe ajo duhet të hiqet.  Po ashtu, duhet të shtohet 24 Qershori si festë e komuniteti egjiptian por, duhet ta kemi parasysh që vetëm me një nen është i papërkrahshëm”, tha Gashi.

Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së, tha se si legjislacion vital duhet të ketë një ndryshim më përmbajtësor që qytetari të gëzojë e të festojë festat e tij. Ai tha se ky Projektligj nuk i plotëson kriteret minimale për përkrahje.

“Si grup parlamentar vlerësojmë se ky Projektligj nuk plotëson as kriteret minimale për mbështetjen vetëm me një nen edhe pse e mirëpret ketë ndryshim që me një plotësim tërësishëm të Projektligjit të vijë në propozim”, tha ai.

Teuta Haxhiu  nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se e përkrah propozimin.

Ndryshe kjo ditë shënohet si Dita Nacionale e Komunitetit Egjiptian të Ballkanit.

Sot shënohet Dita Nacionale e Komunitetit Egjiptian