Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë do të trajtojë rastin 'Veteranët'

Gjykata Themelore e Prishtinë e ka caktuar Departamentin e Krimeve të Rënda kompetent për të rigjykuar rastin “Veteranët”.

Aktgjykimi lirues për 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” është prishur nga Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.

Ky vendim i kthen edhe një herë në bankën e të akuzuarve anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, me vendimin e Gjykatës së Apelit pritet të gjykohen edhe një herë për të njëjtat akuza.

Apeli gjeti se vendimi i Gjykatës së Prishtinës kishte shkelje esenciale dhe më qëllim të evitimit të tyre urdhëroi që gjykimi të përsëritet.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, rasti është kthyer edhe njëherë në Gjykatën Themelore.

Me rastin e kthimit të rastit në rigjykim, lindi konflikti për kompetencë mes Departamentit Special dhe atij për Krime të Rënda, ngase të dy këto departamente e përjashtonin veten si kompetente për këtë rast.

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Albina Shabani Rama, ka nxjerrë një vendim me të cilin vendos në lidhje me konfliktin e kompetencës lëndore se cili departament duhet të trajtojë rigjykimin e rastit “Veteranët”.

Rreth kësaj çështje, kryetarja Shabani-Rama, me vendim caktoi si departament kompetent atë për Krime të Rënda.

“Bazuar në nenin 42 par.4 të Ligjit për Gjykata, shprehimisht përcaktohet se “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, lëndët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilat ende nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar, do të transferohen për shqyrtim në Departamentin Special për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Lëndët për të cilat është mbajtur shqyrtimi fillestar, do të vazhdojnë të shqyrtohen në gjykatat përkatëse, deri në përfundimin e tyre”- thuhet në vendimin e marrë nga kryetarja e Gjykatës së Prishtinës.

Duke u bazuar në këtë vendim, për të rigjykuar rastin “Veteranët” është caktuar gjyqtari i Departamentit për Krime të Rënda, Gazmend Bahtiri.

Ndonëse ky rast është kthyer në rigjykim që nga data 24 mars 2022, ende nuk është caktuar asnjë seancë për shqyrtim gjyqësor.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.