Gjykata e Gjakoves

Dënime me burg për të akuzuarit që sulmuan dy zyrtarët policorë

Neki, Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, të akuzuar për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë, D.Sh dhe A.T u dënuan me burg nga Gjykata e Gjakovës.

Shkëlqim Hajdaraj u dënua me 2 vite e gjysmë burg, Besnik Hajdaraj me 2 vite, ndërsa Neki Hajdaraj me 1 vit burgim.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokatja e të akuzuarit Shkëlqim, Feride Xani.

Tre të akuzuarit gjenden në paraburgim që nga data 16 korrik 2020. Ndërsa, më 15 korrik në qytetin e Gjakovës ishin sulmuar dy zyrtarët policorë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, thuhet se derisa policët ishin duke u marrë me lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara në mënyrë të parregullt, i kanë kërkuar dokumentet e veturës personit Besim Qunaj, ku është paraqitur i akuzuari Neki Hajdaraj dhe ka filluar të fjaloset me njërin nga policët.

Aktakuza thotë se i akuzuari Neki Hajdaraj ka refuzuar të largohet duke i thënë policit D.Sh “keni qu krye, s`di qa po ju duket vetja, kështu edhe mua ma ke marrë patentin, po të njoh ke qenë në shkollë me djalin tim, fale këtë person”, ndërsa polici ka refuzuar dhe ka vazhduar me shqiptimin e gjobës ndaj personit Besim Qunaj.

Në aktakuzë thuhet se më pas duke vrapuar janë afruar të akuzuarit Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, ku i akuzuari Besnik me dorën e djathtë e kap për qafe të dëmtuarin D.Sh, e tërheq nga prapa, duke e rrëzuar në tokë, e më pas i akuzuari Shkëlqim  e godet disa herë me shqelma në fytyrë.

Aktakuza shpjegon se derisa Shkëlqim dhe Besnik Hajdaraj sulmonin të dëmtuarin D.Sh, i akuzuari tjetër Neki Hajdaraj e kishte shtyrë në tokë të dëmtuarin tjetër A.T duke e goditur me grushte në kokë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit.