Gjakovë, të akuzuarit për sulm ndaj zyrtarëve policorë deklarohen për fajësinë

 

Neki, Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, të akuzuar për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë, David Shala dhe Arben Tahiraj, dolën sot para gjyqit në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Pas mospranimit të akuzës, gjykatësi i rastit Mentor Bajraktari i njoftoj palët se në afat prej 30 ditësh, duhet të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe provave të saj.

Ndërsa, pak para se të nënshkruhej procesverbali, gjykatësi i rastit kërkoi nga publiku që ta lirojnë sallën, përfshirë këtu edhe monitoruesit e gjykimit.

Tre të akuzuarit gjenden në paraburgim që nga data 16 korrik.

Më 15 korrik, në qytetin e Gjakovës ishin sulmuar dy zyrtarë policorë, David Shala dhe Arben Tahiraj, të cilët kanë marrë lëndime trupore.

Ky rast dyshohet se ka ndodhur në bashkëkryerje nga tre persona Neki, Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, thuhet se tek restauranti “Oita4” në Gjakovë, të akuzuarit kishin sulmuar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.

“Derisa të dëmtuarit zyrtarët David Shala dhe Arben Tahiraj ishin duke u marrë me lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara në mënyrë të parregullt, i kanë kërkuar dokumentet e veturës personit Besim Qunaj, ku është paraqitur i akuzuari Neki Hajdaraj dhe ka filluar të fjaloset me të dëmtuarin David Shala”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Neki Hajdaraj ka refuzuar të largohet duke i thënë policit David Shala “keni qu krye, s`di qa po ju duket vetja, kështu edhe mua ma ke marrë patentin, po të njoh ke qenë në shkollë me djalin tim, fale këtë person”, ndërsa polici ka refuzuar dhe ka vazhduar me shqiptimin e gjobës ndaj personit Besim Qunaj.

Në aktakuzë thuhet se më pas duke vrapuar janë afruar të akuzuarit Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, ku i akuzuari Besnik me dorën e djathtë e kap për qafe të dëmtuarin David, e tërheq nga mbrapa, duke e rrëzuar në tokë, e më pas i akuzuari Shkëlqim  e godet disa herë me shqelma në fytyrë.

Aktakuza shpjegon se derisa Shkëlqim dhe Besnik Hajdaraj sulmonin të dëmtuarin David Shala, i akuzuari tjetër Neki Hajdaraj e kishte shtyrë në tokë të dëmtuarin tjetër Arben Tahiraj duke e goditur me grushte në kokë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit.

Këto goditje kanë vazhduar derisa në ndihmë kanë ardhur zyrtarët tjerë policor, të cilët janë detyruar ta përdorin forcën për t’i arrestuar të akuzuarit.