Gjakovë, paraburgim ndaj tre të dyshuarve për sulm ndaj zyrtarëve policor

 

Gjatë ditës së djeshme në Gjakovë ishin sulmuar dy zyrtarë policor, David Shala dhe Arben Tahiraj, të cilët kanë marrë lëndime trupore.

Në këtë rast, dyshohet se sulmi ka ndodhur në bashkëkryerje nga tre persona Neki, Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj.

Ndaj të njëjtëve, pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Gjakovës ka caktuar një muaj paraburgim, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, thuhet se dje në afërsi të një  restauranti në Gjakovë, të pandehurit kanë sulmuar personat zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.

“Derisa të dëmtuarit zyrtarët David Shala dhe Arben Tahiraj ishin duke u marrë me lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara në mënyrë të parregullt, i kanë kërkuar dokumentet e veturës personit Besim Qunaj, ku është paraqitur i pandehuri Neki Hajdaraj dhe ka filluar të fjaloset me të dëmtuarin David Shala”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas kërkesës, i pandehuri Neki Hajdaraj ka refuzuar të largohet duke i thënë policit David Shala “po të njoh ke qenë në shkollë me dajën tim, fale këtë person”, ndërsa polici ka refuzuar dhe ka vazhduar me shqiptimin e gjobës ndaj personit Besim Qunaj.

Në kërkesë thuhet se më pas duke vrapuar janë afruar të pandehurit Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, kanë filluar ta godasin me grushte të dëmtuarin David Shala duke e rrëzuar për toke, e më pas kanë goditur edhe të dëmtuarin Arben Tahiraj në pjesë të ndryshme të trupit.

Këto goditje kanë vazhduar derisa në ndihmë kanë ardhur zyrtarët tjerë policor, të cilët janë detyruar ta përdorin forcën për t’i arrestuar të pandehurit.

Kallxo.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar për këtë rast.