Ilustrim

Gjakovë, vazhdohet paraburgimi ndaj tre të dyshuarve për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë

Gjykata e Gjakovës ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë ndaj Neki, Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, të dyshuar për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë, David Shala dhe Arben Tahiraj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit Shkëlqim Hajdaraj, avokati Azem Islamaj.

Para një muaji më 16 korrik ishte mbajtur seanca dëgjimore e udhëhequr nga gjyqtarja Diana Sina.

Më 15 korrik, në qytetin e Gjakovës ishin sulmuar dy zyrtarë policorë, David Shala dhe Arben Tahiraj, të cilët kanë marrë lëndime trupore.

Ky rast dyshohet se ka ndodhur në bashkëkryerje nga tre persona Neki, Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj.

Në kërkesën e Prokurorisë, thuhej se tek një restaurant në dalje të Gjakovës (Rruga Gjakovë – Prizren), të pandehurit kishin sulmuar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.

“Derisa të dëmtuarit zyrtarët David Shala dhe Arben Tahiraj ishin duke u marrë me lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara në mënyrë të parregullt, i kanë kërkuar dokumentet e veturës personit Besim Qunaj, ku është paraqitur i pandehuri Neki Hajdaraj dhe ka filluar të fjaloset me të dëmtuarin David Shala”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas kërkesës, i pandehuri Neki Hajdaraj ka refuzuar të largohet duke i thënë policit David Shala “po të njoh ke qenë në shkollë me dajën tim, fale këtë person”, ndërsa polici ka refuzuar dhe ka vazhduar me shqiptimin e gjobës ndaj personit Besim Qunaj.

Në kërkesë thuhej se më pas duke vrapuar janë afruar të pandehurit Besnik dhe Shkëlqim Hajdaraj, kanë filluar ta godasin me grushta të dëmtuarin David Shala, duke e rrëzuar për toke, e më pas kanë goditur edhe të dëmtuarin Arben Tahiraj në pjesë të ndryshme të trupit.

Këto goditje kanë vazhduar derisa në ndihmë kanë ardhur zyrtarët tjerë policor, të cilët janë detyruar ta përdorin forcën për t’i arrestuar të pandehurit.

Kallxo.com gjatë ditës ka raportuar për këtë rast.

 

Gjakovë, dy policë sulmohen rëndë nga tre qytetarë