Ulëset e dëmtuara të fushës sportive në fshatin Gadime e Ulët, Lipjan, Foto: Komuna e Lipjanit/Facebook

Dëmtimi i ulëseve në fushën sportive në Gadime të Ulët, arrestohet një person

Një person është arrestuar nën dyshimin se i njëjti në bashkëveprim me disa persona të tjerë të dyshuar të mitur kanë dëmtuar ulëset- plastikën në fushën e sportit të shkollës fillore të fshatit Gadime e Ultë.

Policia ka njoftuar më 06.04.2024 përmes raportit ditor se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar si asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Komuna e Lipjanit përmes disa fotografive dhe një videoje në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka publikuar një reagim të kryetarit të kësaj komune, Imri Ahmeti për disa ulëse të një fushe sportive, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga një person.

Në videon e publikuar nga komuna e Lipjanit më 05.04.2024, shihet një person i cili thyen një ulëse të fushës sportive, derisa një numër i ulëseve të dëmtuara të kësaj fushe shihen edhe në fotografitë e publikuara nga komuna.

“Para pak ditësh kjo sjellje tek fushat sportive për ne është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë. Kryetari Ahmeti apelon tek të gjithë qytetarët që të kujdesen sa më shumë për ruajtjen e investimeve publike” – thuhet në reagimin e Ahmetit, më 05.04.2024.

Në një bisedë për KALLXO.com kryetari Ahmeti ka thënë se dëmtimi i ulëseve ka ndodhur në fushën sportive të fshatit Gadime e Ulët, në afërsi të shkollës fillore “Ernest Koliqi”.

Sipas Ahmetit, në lidhje me dëmtimin e ulëseve janë njoftuar më herët, porse nuk kanë pasur dëshmi se kush i kishte dëmtuar.

Ai ka thënë se më 05.04.2024 kanë pranuar videon ku shihet personi duke dëmtuar ulësen e fushës, video të cilën e kanë dorëzuar në Polici.

“Jemi informuar më herët, ka ndoshta 10 ditë, por nuk kemi pas ndonjë dëshmi. Sot na ka rrjedhë ajo foto, video që e patë edhe e kemi çu në Polici të Lipjanit, çka kanë bo ata nuk e di gjatë ditës” – ka treguar Ahmeti, më 05.04.2024.