Foto: Aleskandar Vuçiq/Instagram

Deklarimi i Lajçakut pas takimit me Vuçiqin

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit ndërmjet pesëshes ndërkombëtare dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, tha se temë e vizitës ishte përparimi në zbatimin e marrëveshjes për normalizim dhe normalizim dhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës në dritën e ngjarjeve të fundit, raporton RTS.

“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se dënojmë fuqishëm sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët e sulmit duhet të sillen para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë në këtë drejtim”- ka thënë Lajçak pas takimit në Beograd.

Ai shtoi se liderët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre dhe se si Beogradi, ashtu edhe Prishtina duhet të punojnë për shtensionim dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne ia kemi përcjellë atë mesazh presidentit Vuçiq. Serbia dhe Kosova kanë hyrë në marrëveshje të reja në shkurt dhe mars të këtij viti dhe presim që të dyja palët të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre si nga marrëveshjet e reja ashtu edhe nga ato të vjetra”- shton Lajçak.

Sipas RTS-së, emisari i BE-së ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë në rendin e ditës të takimit të ministrave të punëve të jashtme të vendeve evropiane të hënën dhe gjithashtu do të diskutohet nga liderët e BE-së më gjatë javës së ardhshme, në Këshillin e Europës.

“Kjo vizitë do të ndikojë drejtpërdrejt në ato bisedime. Siç e kemi thënë shumë herë, nuk ka të ardhme europiane as për Serbinë, as për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve të miratuara për normalizim, si aktuale ashtu edhe më herët të shohim një rajon stabil, të begatë dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, prandaj dialogu është i një rëndësie vendimtare. Biseda jonë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti do të vazhdojë në ditët në vijim”- ka përfunduar Lajçak.

Në mëngjesin e sotëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim emisarët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas takimit, para gazetarëve u deklarua emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, i cili bëri thirrje për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Si kryeministër i Kosovës, Kurti e ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt BE-së. Këtu nënvizojmë nevojën për të vazhduar përpara me themelimin e Asociacionit pa vonesa. Pa këtë nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës” – deklaroi ai.

Tutje, ai tha se i shprehën ngushëllime Kurtit për policin e vrarë më 24 shkurt në Banjskë e gjithashtu, dënuan sulmin.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes policisë dhe atij grupi janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, kurse Kosova po kërkon ekstradimin të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që mbajt më 15 shtator, e që në agjendë kishte zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në një konferencë për media pati deklaruar se ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Kurse sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.

Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më 18 mars të këtij viti, në Ohër palët ishin dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.