Foto: Islam Berisha/ KALLXO.com

Deklarata nën betim, temë diskutimi në Komisionin hetimor për rezervat shtetërore

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Në këtë takim deputeti i LVV-së, Salih Zyba ka kërkuar sqarime lidhur me diskutimet për deklaratën nën betim, e cila duhet të nënshkruhet nga deputetët anëtarë të këtij komisioni.

Ai ka kërkuar të dijë nëse në mbledhjen e sotme do të diskutohet ndonjë material apo dokument lidhur me çështjen e rezervave për të cilin duhet të betohen.

“Ne ende ne nuk kemi ndonjë material, që nënkupton që është për të ardhmen, ne sot nuk kemi ndonjë sekret ose diçka. Nuk keni ndonjë material që mundemi me e deponu deri tani. Mendova mos kemi ndonjë material që ne të jemi të vetëdijshëm për çka po marrim këtë procedurë”- ka thënë ai.

Lidhur me ketë, kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë dokument.

Ndërsa, ka theksuar se në të ardhmen mund të pranojnë materiale sensitive.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ka thënë se komisioni duhet të bëjë punë më intensive duke qenë se sipas saj, mbledhja e sotme mund të konsiderohet si mbledhja e parë.

“E tha edhe kryetari që kemi mbetë vonë dhe na duhet punë më intensive. Jemi të vetëdijshëm dhe fjalët që i kemi thënë këtu dhe në media, jemi përgjegjës secili për vete. Sa i përket nënshkrimit të deklaratës, nuk kemi ndonjë material konkret sepse kjo mundet me u konsideru si mbledhje e parë se asnjë veprim se kemi ndërmarrë madje as buxhetin se kemi caktu. Duhet ta dimë ku po hijmë dhe mos me i ndërhy prokurorisë por me kry punën tonë si deputetë ashtu qysh e kemi dhanë betimin”- tha ajo.

Edhe deputeti Pal Lekaj ka theksuar se nënshkrimi i deklaratës nën betim është çështje procedurale.

“Sa i përket deklarimit të sotëm nën betim, është procedurë dhe e lejon ligji, nuk e kemi shpikë ne, por e lejon ligji për dokumentet konfidenciale. Ne nuk kemi pasë kuptim që të kërkojmë dokumente nga ministria përkatëse dhe në mënyrë individuale kemi mund të kërkojmë. Është mirë të fillojmë punën dhe të arrijmë qëllimi që e drejta të del në sipërfaqe”- ka thënë ai.

Komisioni hetmor për rezervat në dhjetor të vitit 2023 ka mbajtur mbledhjen e parë që nga konstiuimi i tij.

Ky komision u konstiuua në përpjekjen e tetë, pasi shtatë tentativat e tjera patën dështuar për shkak të bojkotit të ligjvënësve të pozitës.

Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.