Dedaj në Hagë: Rugova ishte themelues i Republikës së Kosovës, Thaçi e përmbylli procesin

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është duke dhënë dëshmi në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në deklaratën e tij në Hagë, Dedaj ka përmendur rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe rolin e Ibrahim Rugovës dhe Hashim Thaçit.

Dedaj, Ibrahim Rugovën e ka përshkruar si themeluesi të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, pas luftës, Hashim Thaçi, sipas tij ka përfunduar procesin e pavarësisë së Kosovës.

Dedaj gjatë deklaratës së tij ka folur edhe për angazhimet gjatë periudhës para dhe pas luftës.

Ai ka thënë së për të gjitha krimet në Kosovë është fajtor Sllobodan Milloshviq.

“Për arsye se Serbia kishte intensifikuar terrorin dhe gjenocidin mbi popullatën civile në Kosovë u detyrova të heq dorë nga mësimdhënia, dhe kapacitet i kam vënë në rend të parë për të vërtetën e Kosovës, dhe pastaj për organizimin e jetës, pasi ishin mbyllur shkollat shqipe, ishin larguar punëtorët shqiptar. Kjo ka qenë arsyeja pse jam larguar nga procesi mësimor”- ka thënë Dedaj.

I pyetur se a ka qenë pjesë e LDK-së dhe UÇK-së, Dedaj tha se nuk ka qenë.

“Kam lëndim në zemër, e kam zemrën me tela se ma ka lënduar Serbia, kam lëndime në shpirtin tim, Serbia më ka vrarë 12 anëtarë të familijes, dhe dy të mitur. Para Milloshevqit kanë folur edhe anëtarët e familjes sime, që ai ka qenë përgjegjës për të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë”- tha mes tjerash ai.

Dedaj po ashtu deklaroi se Ibrahim Rugova ishte themelues i Republikës së Kosovës ndërsa Hashim Thaçi ka përmbyllur procesin.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.