Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, Foto: REL

DASH: Shpresojmë që çështja e targave të zgjidhet ditëve në vijim

Ned Price, zëdhënës i Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken ka deklaruar se e mbështesin dialogun e Kosovës me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, derisa ka deklaruar se presin që të ketë një zgjidhje mes palëve sa i përket çështjes së targave.

Ai ka thënë se kjo ishte edhe arsyeja e vizitës së dërguarit special të SHBA, Gabriel Escobar, i cili sipas Price, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur procesin e dialogut.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë i qëndrueshëm. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Kjo është arsyeja pse DAS Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabe Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces”- tha Price.

Price theksoi se edhe sekretari Blinken është thellësisht i angazhuar për këtë çështje.

“Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai ka folur me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor, besoj se ishte. Ai ka theksuar mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”- u shpreh Price.

Më tej, Price tha se do të vazhdojnë të mbështesin dialogun dhe do të vazhdojnë të jenë partnerë si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

Ai u përgjigj edhe për çështjen e targave të automjeteve, duke shtuar se shpresojnë që “mosmarrëveshja të zgjidhet gjatë ditëve në vijim”.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se do ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”- përfundoi Price, kur u pyet se cili është mesazhi i tij për Prishtinën dhe Beogradin, duke qenë se afati i 31 tetoritpër targat po afron.

I dërguari i posaçëm SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar qëndroi në Kosovë javën e kaluar, pas takimeve me krerët shtetëror ai tha se SHBA-të përkrahin aspiratat euroatlantike të Kosovës.

Escobar më pas qëndroi edhe Serbi, ku takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq nga i cili tha se pret intensifikim të dialogut.