Deklarohen të pafajshëm dy ish-zyrtarët e Asociacionit të Gazetarëve, të akuzuar për mashtrim me fonde

Në Gjykatën e Prishtinës, në shqyrtimin fillestarë janë deklaruar të pafajshëm, Zekirja Shabani, ish-kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Arben Salihu, ish-drejtor ekzekutiv i kësaj organizate.

Prokuroria i akuzon për veprat penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Evropian, keqpërdorim i besimit dhe konflikt i interesit.

Në fillim të shqyrtimit fillestar së pari është bërë precizimin i aktakuzës nga ana e prokurores Merrushe Llugiqi, e cila deklaroi se e bën precizimin sa i përket pikës dy të akuzës.

E njëjta ka thënë se në rendin e para-fundit të këtij diapozitivi pas fjalës “donatorëve” të shkruhet teksti “Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë me KCSF”.

Kështu pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Llugiqi, të akuzuarit Shabani dhe Salihu, u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më pas gjyqtari Naser Foniqi i njoftoi palët se shqyrtimi i dytë për këtë rast do të mbahet më datë 8 prill 2021.

Sipas aktakuzës i pandehuri Arben Salihu në cilësinë e personit zyrtar, drejtor ekzekutiv i AGK-së, gjatë periudhës kohore te vitit 2016-2017 e ka keqpërdorur pozitën me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në atë mënyrë që donacionet – grantet të cilat i ka marrë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, në bazë të kontratës Granti DPS i datës 26 qershor 2016, një pjesë të këtij granti e ka marrë për veti në mënyrë të kundërligjshme dhe atë shumën prej 9,998.80 euro, me ç‘rast i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile.

Tutje akuza thotë se i pandehuri Arben Salihu akuzohet për veprën mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti evropian, sepse duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar drejtor ekzekutiv në AGK gjatë periudhës kohore të vitit 2016-2017, ka manipuluar me kontratën e punonjëses Florina Desku të këtij Asociacioni të lidhur në mes të AGK-së si punëdhënës, e nënshkruar nga ai si drejtori ekzekutiv dhe nga ana e Florina Desku, me pozitën Zyrtare për Financa si punëmarrëse, me vlerë të pagës mujore 262.50 euro, bruto dhe kontratën e punës, e datës 01 shtator 2016, e lidhur në mes të AGK-së si punëdhënës, e nënshkruar nga ai dhe nga ana e Florina Desku, zyrtare për financa si punëmarrëse, me vlerë të pagës mujore 525 euro bruto.

Më pas në aktakuzë thuhet se duke prezantuar para anëtarëve të Bordit të këtij asociacioni kontrata me vlerë më të ulët të pagës, kurse kontratat me vlerë më të lartë të pagës i ka prezantuar para donatorëve Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë me KCSF-së, si arsyetim për shpenzimet e kryera për pagesat e punonjësve.

Po ashtu sipas pikës së tretë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Arben Salihu po akuzohet për veprën konflikt interesi, sepse duke qenë në cilësinë e drejtorit të AGK-së, gjatë periudhës kohore të vitit 2016-2017 me qëllim që vetës apo vëllait të tij A. S., t`i sjell interes financiar ka lidhur kontratë për ofrimin e shërbimeve të riparimit të pajisjeve të IT-së me vëllain e tij që punon si IT për serverë, ku në këtë rast vëllait të tij i janë bërë tri pagesa dhe atë fillimisht më datë 10 janar 2017 shuma prej 205 euro, pastaj më datë 18 janar 2017 shuma prej 190 euro dhe më datë 9 mars 2017 shuma prej 190 euro.

Sipas aktakuzës  i pandehurin Arben Saihu, akuzohet edhe për veprën penale përvetësimi në detyrë, sepse duke qenë në pozitën drejtor ekzekutiv i AGK-së gjatë vitit 2016-2017, me qëllim që vetes t`i sjell përftim pasuror të kundërligjshëm ka përvetësuar shumën prej 9,998 euro prej grantit DSP II-GI-17 të datës 26 gusht 2016 të cilin e ka marrë nga KCSF-ja, duke i shkaktuar dëm të njëjtës në vlerën e cekur si më lartë.

Tutje sa i përket të pandehurit Zikerja Shabani, sipas aktakuzës i njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Kryetar i Bordit të AGK-së, gjatë periudhës kohore të vitit 2016 përkatësisht më datë 1 janar 2016 e ka keqpërdor pozitën zyrtare në atë mënyrë që deri sa ishte në cilësinë e kryetarit të Bordit të këtij asociacioni ka nënshkruar kontrata të punësimit në vlera të ndryshme të pagës për të pandehurin Arben Salihu, fillimisht në vlerë mujore prej 1,185 euro bruto dhe më pas prej 1,150 euro bruto.

Zikerja Shabani po ashtu akuzohet edhe për veprën keqpërdorim i besimit, pasi që sipas prokurorisë pasi e ka përfunduar mandatin e tij si kryetar i Bordit të AGK-së, në vitin 2016, i njëjti duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme me qëllim që vetit t’i sjell përftim pasuror të kundërligjshëm ka tërhequr mjete financiare në mënyre të kundërligjshme nga xhirollogaria e AGK-së.

Sipas aktakuzës i njëjti fillimisht më datë 6 qershor 2016 ka tërhequr shumën e të hollave prej 800 euro, pastaj më datë 6 korrik 2016 ka tërhequr shumën e parave prej 700 euro, kurse më datë 5 shtator 2016 ka tërhequr shumën prej 1,350 euro, që në total i ka tërhequr nga xhirollogaria e AGK-së është vlera prej 2,850 euro.