Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Costa: Kosova ka ende punë për të bërë për t’iu hequr masat

Gati dy orë ka zgjatur takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, më 14.05.2025 në Prishtinë.

Në takim, sipas Osmanit dhe Costas, është diskutuar edhe për masat ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës që gati dy vite.

Pas takimit, presidenti i Këshillit Europian tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të lidhura me nevojën për të depërshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit.

Heqja e masave është në dorën e po këtij Këshilli.

“Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë depërshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa. Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë europiane për të depërshkallëzuar situatën dhe për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”- tha Antonio Costa.

Kurse presidentja Osmani e përsëriti para mysafirit se Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së për t’u larguar masat. Sipas presidentes, çështja e heqjes së masave ka mbetur në konsensusin e shteteve anëtare të BE-së. “E kuptoj kompleksitetin e procesit dhe ne si Kosovë duhet t’i bindim ato shtete veç e veç në mënyrë që asnjë prej tyre mos të ketë hezitim”.

“Ato kërkesa të BE-së kanë përfshirë rikthimin në tavolinën e dialogut, gjë që ka ndodhur. Kanë përfshirë krijmin e një baze të re ligjore për zgjedhje të parakohshme, gjë që ka ndodhur në veri të Kosovës, gjë që ka ndodhur. Dhe mbajtjen e zgjedhjeve për ose kundër kryetarëve në ato komuna, gjë që ka ndodhur”- tha Osmani.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat e tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Pavarësisht thirrjeve brenda e jashtë vendit, masat vazhdojnë të mos hiqen.

Shteti po i vuan pasojat, përderisa vendet e BE-së nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për largimin e tyre.

Gjersa krerët e lartë kosovarë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, në çdo takim me personalitete të larta të cilët vijnë nga shtetet anëtare të BE-së, kërkojnë që këto masa të hiqen njëherë e mirë, së fundmi edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, ka përpiluar një raport, duke e kërkuar pikërisht të njëjtën gjë.

Terras, në një intervistë për KALLXO.com, fajësoi Këshillin Europian dhe shtetet anëtare për zvarritjen e heqjes së masave ndaj Kosovës.