CNN: Çfarë gjetën marinsat amerikane kur udhëhoqën forcat paqeruajtëse në Kosovë për të ndaluar spastrimin etnik?

Gazetarja e CNN, Christiane Amanpour, ka publikuar një video nga arkivi i saj javor për bombardimet e NATO-së në Kosovë në vitin 1999.

“Nga arkivi im këtë javë – çfarë gjetën marinsat amerikane kur udhëhoqën forcat paqeruajtëse në Kosovë për të ndaluar spastrimin etnik”- thuhet në postimin në Twitter të gazetares Christiane Amanpour.

Në këtë video material flitet fillimisht për tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshjen për targa.

Gazetarja Amanpour tregon se ajo ishte në Kosovë kur kishte ndodhur bombardimi i forcave të NATO-së.

“Në vitin 1999, unë isha atje kur SHBA udhëhoqi koalicionin e NATO-s për të çliruar Kosovën. Ishte një fitore për të drejtat e njeriut” – tha Amanpour.

Në këtë video-material shfaqen pamje nga qershori i vitit 1999, hyrja e forcave të NATO-s në Kaçanik, Gjilan, Shtime, pritja e tyre nga kosovarët dhe raportimi i Amanpour.

Ajo tregon për provat që marinsat amerikane kishin gjetur si dëshmi për spastrimin etnik që forcat serbe kishin kryer mbi qytetarët në Kosovë.