Çka deklaroi në Gjykatë i dyshuari Bujar Basha për rastin e grabitjes së argjendarisë në Suharekë
“Kjo ka të bëjë me të kalurën time për të cilën unë e kam vuajtur dënimin. E gjithë kjo (ndërlidhet) është si pasojë e analistave që kanë dalë nëpër studio televizive duke e cekur emrin tim vazhdimisht”- kështu ka deklaruar gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë i dyshuari për grabitjen në Suharekë, Bujar Basha.
Katër të dyshuar Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku janë arrestuar dje lidhur me rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë.
Të premten, më 1 dhjetor ata kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pas kërkesës së Prokurorisë së Prizrenit për t’u caktuar masa e paraburgimit.
Por Basha pretendimet e Prokurorisë për veprën e grabitjes i mohoi, ai arrestimin e tij e ndërlidhi me të kalurën e tij kriminale.
“Nuk e kam kryer veprën penale sikurse po thotë Prokuroria ngase unë do kisha ikur, nuk do të rrija. Por unë kam ndejt në shtëpi dhe nuk kam rezistu. Kjo ka të bëjë me të kalurën time për të cilën unë kam vujatur dënim. E gjitha kjo është si pasojë e analistave që kanë dalë në studio televizive duke e cekur emrin tim vazhdimisht”- deklaroi Basha.
Mbrojtësi i tij, Asdren Bytyqi po ashtu ka mohuar kategorikisht përfshirjen e Bujar Bashës në këtë ngjarje.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme sa i përket dyshimit se i njëjti ka kryer veprën e grabitjes.
Të premten në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër të dyshuarve për rastin e grabitjes që ka ndodhur në argjendarinë “Diakos” në Suharekë.
Prokuroria e Prizrenit ndaj tyre ka kërkuar caktimin e paraburgimit pasi konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore.
Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për katër të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi, po dyshohen për veprën penale grabitje dhe Trim Baraku për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Ndaj tyre Gjykata e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim.
Sipas Prokurorisë të pandehurit Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku më datë 22 nëntor, në ora 15:45 min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T. B., dhe A. B., me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë të pandehurit Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi, Trim Baraku dhe Korab Gashi që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe.
Tutje thuhet se të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli arrestohen nga Policia.
I pandehuri, Trim baraku më datë 30 nëntor,2023 në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e Policisë, me urdhër së procedurës paraprake Policia ka gjetur një (1) revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS end B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armët.