Chollet takohet me Lajçakun, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet është takuar me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas, Chollet në këtë takim është diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“I gëzuar që bisedova me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për të mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”- ka shkruar Chollet në Twitter.
Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.
Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.
Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.