Çfarë armatimi u gjet mbrëmë në Banjskë të Zveçanit?
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në kuadër të operacionit në fshatin Banjskë, përveç arrestimit të dy personave të tjerë në një hotel në Banjskë mbrëmë, gjithashtu në zonën e këtij fshati janë gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.
Deri më tani, numri i të arrestuarve që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ka shkuar në tetë.
Po ashtu Policia ka thënë se dy armë të gjatë AK 47 janë gjetur në manastir, si dhe një helmet e Policisë së Kosovës që dyshohet se është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Në komunikatën e fundit të Policisë është bërë e ditur edhe sasia dhe llojet e armëve që janë gjetur mbrëmë në Banjskë.
“Mjetet e konfiskuara me 25 shtator përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm),një minahedhës (82 mm),njëzet e dy armë të gjata (AK 47),një automatik (RPZ),dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore,shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47,nëntë jelekë antiplumb,një radiolidhje,tetë çanta ushtarake,gjashtë uniforma ushtarake”.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Arrestohen dy persona në një hotel në afërsi të fshatit Banjskë