Ilustrim
Çerdhja në Prizren mori vendim që të mos i pranojë fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët me pampersa
Drejtori i çerdhes në lagjen “Bajram Curri” në qytetin e Prizrenit, Driton Susuri ka miratuar një vendim që të mos i pranojë në këtë çerdhe fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët me pampersa nga data 14.10.2024.
Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj e ka mohuar se është konsultuar drejtori i çerdhes në Prizren me ta, për vendimin që e ka miratuar për mospranimin e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve me pampersa.
Drejtoresha Veselaj- Gutaj ka paralajmëruar se do të marrin veprime ligjore për këtë rast të hënën, më 14.10.2024.
Ky vendim i çerdhes në Prizren, të cilin e ka siguruar KALLXO.com shihet se nuk është i protokoluar, ka logo të emblemës së Komunës së Prizrenit dhe është i nënshkruar nga drejtori i çerdhes, Driton Susuri.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar ndaj vendimit të çerdhes në Prizren. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj këtij vendimi dhe i kanë kërkuar Komunës së Prizrenit që ta shfuqizojë atë.
Në vendimin e çerdhes në lagjen “Bajram Curri”, e cila ndodhet në rrugën “Nexhat Feraj” në Prizren, thuhet se fëmijët të cilët janë me pampersa, nuk mund të pranohen apo të vijojnë mësimin në çerdhen e tyre deri në momentin e heqjes së pampersës.
Kurse, për fëmijët me nevoja të veçanta, në vendimin e çerdhes në Prizren kërkohet që Drejtoria e Arsimit në Prizren t’iu sjellin dy asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe se deri në atë kohë fëmijët me nevoja të veçanta nuk mund të vijojnë edukimin në këtë çerdhe.
“Rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore të cilët janë të regjistruar në kopshtin tonë dhe të cilëve u është bërë vlerësimi në bazë të një instrumenti vlerësues të cilin ua kemi dërguar Drejtorisë Komunale të Arsimit për ta vlerësuar, këto raste nuk mund të vijojnë mësimin deri në momentin kur në kopshtin tonë na e sjellin nga DKA-ja një apo dy asistent për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore” – thuhet në vendimin e çerdhes në lagjen “Bajram Curri”, në Prizren.
Në anën tjetër, drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj, në një bisedë për KALLXO.com tha se e ka kuptuar përmes mediave për këtë vendim të çerdhes në lagjen “Bajram Curri”.
Sipas Veselaj- Gutajt, ata kanë hapur konkurs për asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta para tri ditësh.
“Para tri dite ne kemi shpallë konkurs, kemi hapur thirrje, kam kërku te Zyra e burimeve njerëzore me hap thirrje për asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, e cila është në proces të mëtutjeshëm. Mirëpo, për vendimin, për të cilin nuk jemi të njoftuar, të hanën do t’i marrim veprimet ligjore në bazë të normave dhe udhëzimeve” – ka thënë Veselaj- Gutaj, më 12.10.2024.
Për Veselaj- Gutaj, vendimi i çerdhes në Prizren nuk ka legjitimitet të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë dhe si i tillë është vetëm dokument i lëshuar nga drejtori i çerdhes.
“Është dokument i institucionit që e ka lëshu drejtori [i çerdhes] pa konsultim me Drejtorinë e Arsimit. As nuk është i bazuar në udhëzime, as në planin zhvillimor të Drejtorisë së Arsimit” – ka shtuar ajo.
Ajo ka treguar se çerdhja në lagjen “Bajram Curri” në Prizren është hapur në muajin qershor, 2024 dhe se ende nuk është bërë përurimi i saj.
Mirëpo, çerdhja në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, është aktivizuar me orar të shkurtë në muajin qershor 2024, dhe me orar pak më të gjatë në shtator, 2024, sipas Veselaj- Gutaj.
Si rrjedhojë, DKA në Prizren është në procedura të caktimit të emrit të çerdhes, pasi i kanë dërguar propozimet për emër në Ministri të Arsimit dhe po presin përgjigje nga ana e tyre.
“Është aktive, mirëpo ende nuk është funksionale e plotë se ende nuk e ka emrin. Janë përfundu të gjitha procedura, ka fillu çerdhja me punu, ka fillu në qershor, si me thanë në mënyrë simbolike me një orar shumë të shkurtuar, kurse në shtator [2024] ka fillu me orar pak ma të gjatë, jemi në procedurë të rekrutimit ose përfundimit të proceseve në OShP për ushqimin e fëmijëve dhe presim që së shpejti të kthehet dhe të fillojmë me orar të plotë” – tha Veselaj- Gutaj.
Për Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), mohimi i të drejtës së fëmijës me aftësi të kufizuara për edukim përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“KOMF shpreh shqetësimin dhe indinjatën për vendimin e marrë nga Institucioni Parashkollor në lagjen Bajram Curri në Prizren, vendim i cili mohon të drejtën e fëmijëve me aftësi të kufizuara për edukim, kujdes dhe zhvillim në këtë institucion. Mohimi i të drejtës së fëmijës me aftësi të kufizuara për edukim, kujdes dhe zhvillim në fëmijërinë e hershme përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Edukim në Fëmijërinë e Hershme dhe Konventës Ndërkombëtarë për të Drejtat e Fëmijës” – thuhet në reagimin e KOMF, më 12.10.2024.
Tutje, KOMF i kërkon Komunës së Prizrenit që ta adresojë këtë rast me urgjencë dhe sipas tyre, ky vendim i çerdhes në lagjen “Bajram Curri” duhet të shfuqizohet menjëherë.
“Institucioni parashkollor dhe komuna duhet të marrin parasysh nevojat dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për të gjithë fëmijët pa dallim” – kanë përfunduar nga KOMF.
KALLXO.com e ka pyetur drejtorin e çerdhes në Prizren, Driton Susuri për këtë vendim, por nuk ka dhënë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.