Çerdhes në Ferizaj i thehet dera dhe disa mobilje

Disa ditë më parë është thyer dhe dëmtuar çerdhja për fëmijë në fshatin Greme në Komunën e Ferizajt.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Afrim Llabajni, Drejtori i Arsimit në këtë Komunë,.

“Me thanë të drejtën unë informacionin e kam marrë nga një banor i fshatit dhe momentin që kemi dëgju që është thy ne kemi dërgu një operator ekonomik i cili e ka rregullu derën dhe e ka mbyllë tashmë komplet”, ka thënë Llabjani.

Kjo çerdhe është ndërtuar më 15 nëntor të vitit 2016 ndërsa deri më tani në të nuk ka qenë funksionale asnjëherë edhe pse sipas Drejtorit Llabajni ajo ka qenë e gatshme për të funksionuar.

“Me marrjen e pushtetit nga Kryetari Aliu kemi bë edhe një investim tjetër në oborrin e çerdhës, thanë të drejtën ajo u kanë e gatshme me fonksionalizu”, ka treguar Afrim Llabjani.

Ndërsa sipas tij arsyeja pse kjo çerdhe deri më tani nuk ka punuar është përshkak të përfshirjes së puntorëve të rinj nëpër listat e pagave.

“Përshkak të përfshirjes së edukatorëve,puntorëve të rinj nëpër  listat e pagave ne kemi mbet peng pa e hap atë çerdhe, ne kemi dashtë me bë një hap me partneritetin publiko privat, apo një formë tjetër siç e kemi me Caritasin, mirëpo nuk e kemi realizu deri tani”, ka thënë Llabjani.

Sipas Llabjanit kjo çerdhe mund të hapet me çerdhet e reja të cilat janë planifikuar të ndërtohen  nga Qeveria, pasi kjo është e gatshme.

Deri më tani nuk dihet se në çfarë shume kanë shkuar dëmet e shkakuar në këtë çerdhe.

Më poshtë janë disa fotografi të dërguar nga një qytetar në adresën e KALLXO.com.