Foto: "Fourth Wave”, Facebook

‘Çarmatosni burrat!’ - Thirrje për veprim kundër femicidit në Kosovë

Organizata joqeveritare “Fourth Wave”, përmes një aksioni protestues simbolik kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për shkallën e lartë të dhunës në bazë gjinore në Kosovë.

“Çarmatosni burrat”, “S’ka babë, ka patriark”, institucioni i familjes, vatër krimi”, “Sa kushton jeta e grave?”- janë disa nga pankartat e vendosura afër objektit të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

“Realiteti shqetësues i grave në Kosovë, na tregon që për 15 vite, në mënyrë tronditëse, 26 gra kanë humbur jetën, kryesisht nga duart e dikujt me të cilin kanë pasë marrëdhënie intime apo lidhje familjare”- janë shprehur nga kjo organizatë.

Tutje janë shprehur se është shqetësuese edhe heshtja institucionale kundrejt këtyre rasteve.

Përmes kukullave të veshura në forma të ndryshme që sipas tyre simbolizojnë grupet e ndryshme shoqërore të shtypura në Kosovë, kjo organizatë ka bërë thirrje për verpim institucional dhe sipas tyre, njohje të vlerave dhe të drejtave të çdo individi.

“Ato (kukullat) mishërojnë idenë se si shteti i sheh qytetarët e tij, si kukulla që duhet t’iu nënshtrohen pritshmërive dhe normave të shoqërisë”-  thanë ata.

Reagimet vijnë pas vrasjes së Liridona Ademajt, më 29 nëntor në Prishtinë. Në mesin e të dyshuarve për rastin është edhe bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili gjendet në paraburgim.

Hadime Magashi, Sanije Godeni, Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, e disa emra të tjerë janë viktima të partnerëve e bashkëshortëve të tyre, ngjarje këto që ndodhën ndërvite në Kosovë.

Vrasjet e grave nga partnerët e tyre që tronditën shoqërinë në Kosovë
Grafika, 1 dhjetor 2022

Vrasjet e grave nga partnerët e tyre që tronditën shoqërinë në Kosovë