Arrestohet i Dyshuari për Vrasjen e Diana Kastratit

Policia e Kosovës konfirmoi të premten se është arrestuar Adnan Jashari, i dyshuar për vrasjen e Diana Kastratit.

Zyra për informim e PK-së tha se, “Policia e Kosovës përmes kanaleve zyrtare ka pranuar një informacion se personi i dyshuar Adnan Jashari është arrestuar në Spanjë” .

Jashari, i dyshuari për vrasjen e Diana Kastratit, ishte edhe ish-burri i saj.

Diana Kastrati u vra me 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë.

I dyshuari Jashari ishte i martuar me Diana Kastratin për 10 vjet. Nga kjo martesë ata e kishin një vajzë.

Ata ishin ndarë para se të ndodhte vrasja.

Në shkurt të këtij viti Gjykata Kushtetuese shpalli se Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte vepruar sipas Kushtetutës dhe ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje.

Kjo pasi prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makifete Kastrati parashtruan kërkesë nëse Gjykata Komunale kishte bërë shkelje, pasi kishte injoruar kërkesën e së ndjerës për mbrojtje.

Gjykata kishte gjetur se “ka pasur shkelje të së drejtës për jetë, të paraparë me nenin 25 të Kushtetutës dhe me nenin 2 të KEDNJ-së [Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut]”.

Neni 25 i Kushtetutës konfirmon se: “secili individ gëzon të drejtën për jetë”, ndërsa “dënimi me vdekje është i ndaluar”.

Neni 2 i KEDNj-së mes tjerash thotë: “e drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj”.