Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vrasjet e grave nga partnerët e tyre që tronditën shoqërinë në Kosovë

Hadime Magashi, Sanije Godeni, Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, e disa emra të tjerë janë viktima të partnerëve e bashkëshortëve të tyre, ngjarje këto që ndodhën ndërvite në Kosovë.

Para vrasjeve disa nga to përjetuan, dhunë fizike sistematike, tortura e maltretime për të cilat disa herë u kërkua edhe mbrojtja e shtetit.

Rastet e fundit të cilat ndodhën në javën e fundit të nëntorit tronditën sërisht shoqërinë.Një grua shtatzënë u vra në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e kaluar ndërsa burri i saj që po dyshohet se kreu krimin është në kërkim nga organet e rendit.

Gruaja Hamide Magashi, kishte një urdhër-mbrojtje që vlente deri në mars të 2023, ndërsa kishte raportuar burrin e saj në korrik për dhunë në familje.

Meqë nuk donte të strehohej në qendër strehimi, Magashi kishte kërkuar të qëndroj te një familjar i sajnë Lipjan ndërsa urdhri mbrojtës iu dërgua Stacionit policor në Lipjan.

Hamide Magashi po qëndronte në repartin e Gjinekologjisë pasi priste të lindte foshnjën e saj. Ajo u vra më 30 nëntor 2022, në oborr të kësaj klinike e i dyshuari pasi kreu krimin u largua nga vendi i ngjarjes.

Rasti që ndodhi të mërkurën, ngriti sërish alarmin e vrasjes së grave që ndodhën ndër vite e të dyshuarit janë burrat e tyre.

Një grua tjetër u vra me sopatë e i dyshuari është burri i saj. Rasti ka ndodhur në Prishtinë më 25 nëntor 2022, ndërsa i dyshuari pasi dyshohet se ka kryer krimin ishte dorëzuar në polici.

Sanije Godeni mësimdhënëse ishte vrarë në orët e hershme të 25 nëntorit ndërsa një sëpatë ishte sekuestruar si provë se me të u krye krimi.

Aktakuza e ngritur e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, saktësisht nga ana e prokurorit Valdet Avdiu, muaj më parë riktheu sërish fokusin në ngjarjet e rënda të ndodhura ndër vite ku gratë në Kosovë para vrasjeve u torturuan, u dhunuan, u rrahën, e u vranë nga burrat e partnerët e tyre.

Mes torturave, dhunimit, thyerjeve të gjymtyrëve të trupit e dhënies së tramadolit, bar i cili përdoret për të lehtësuar dhimbjet, shpjegohet të ketë ndodhur vdekja e 18 vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit të kaluar.

Për këtë ngjarje e cila tronditi shoqërinë në Kosovë, akuza për vrasje të rëndë, dhunim, bashkëkryerje në vrasje është ngarkuar ndaj dy shokëve, Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu.

Marigona Osmani, 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt nga partneri i saj Dardan Krivaça dhe shoku i tij Arbër Sejdiu. Këta dy të fundit e kishin lënë trupin e 18 vjeçares në spital dhe kishin dalë nga ambientet e objektit ndërsa ishin identifikuar nga organet e rendit e ditë më pas ishin arrestuar.

Dosja e prokurorisë për vrasjen e rëndë vë në pah detaje tronditëse se si kishte ndodhur ngjarja e që para saj e reja ishte torturuar në mënyrë mizore.

Gjithmonë sipas prokurorisë, në javën e fundit të gushtit të vitit të kaluar, Marigona Osmani ishte detyruar që të kryej marrëdhënie seksuale me partnerin e saj Dardan Krivaçën në banesën e këtij të fundit.

Dosja përshkruan se si “marrëdhënia seksuale përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e Marigona Osmanit kryhet marrëdhënie seksuale në sallon dhe të zhveshur Dardan Krivaça e dërgon në banjë, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit dhe si pasojë të gjendjes së rëndë shëndetësore e dhunës së ushtruar ajo humb aftësinë për të rezistuar”.

Dosja e autopsisë së 18 vjeçares tregon për një torturë mizore që i ishte bërë të njëjtës para vdekjes. Shenja të shumta në gjithë trupin, thyerje të shumë gjymtyrëve, gërvishtje, goditje me kabllo, dhënie të tabletave të llojit tramadol e cila përdorët për lehtësim të dhimbjeve të forta e të cilat nuk rekomandohet të përdoret pa përshkrim të mjekut.

Në aktakuzën e prokurorisë tutje përshkruhen edhe dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët por edhe tregohet se si i akuzuari kryesor partneri i Marigona Osmanit, Dardan Krivaça në polici dhe në prokurori nuk kishte pranuar që të deklarohet por kishte shfrytëzuar të drejtën që të mbrohej në heshtje.

Deklarata e dhënë e shokut të Dardan Krivaçës, Arbër Sejdiut i cili po akuzohet nga prokuroria për ndihmë në kryerje të veprës penale të dhunimit dhe vrasjes së rëndë shpjegon natën tragjike ndërsa kishte treguar edhe për zërat që kishte dëgjuar dhe mavijoset në trupin e tashmë të ndjerës 18 vjeçare.

Një tjetër rast tragjik që ka ndodhur në shtator të vitit 2020, tregon për një vrasje tjetër të rëndë që kishte ndodhur në një fshat të Komunës së Kamenicës.

Sabile Mavrovqani ishte vrarë nga burri i saj Nuhi Mavrovqani në njërën nga dhomat e shtëpisë ku ishin duke jetuar.

Nuhi Mavrovqani e kishte qëlluar gruan e tij me një shufër metalike të një gjatësie prej 73 centimetrave dhe një trashësie prej 2.2 centimetrave.

E gjitha kishte filluar pas një fjalosje mes çiftit ndërsa Nuhi Mavrovqani më pas e kishte filluar sulmin ndaj gruas së tij duke e goditur fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës.

E njëjta ishte rrëzuar në tokë ndërsa Nuhi Mavrovqani kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve.

Dosja e prokurorisë kishte përshkruar se Nuhi Mavrovqani edhe në të kaluarën ka pasur raste të iniciuara për dhunë të ushtruar ndaj gruas së tij.

Madje dëshmia e Nuhi Mavrovqanit zbulon se para se ta kryente aktin e vrasjes kur kishte marrë gypin e hekurt e kishte paralajmëruar gruan e tij Sabile Mavrovqanin që të mos i afrohej sepse do ta mbyste.

Në dhjetor të 2020, Nuhi Mavrovqani ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën që kishte kryer ndërsa rasti ishte kthyer në rigjykim sërish pas anulimit të vendimit të parë.

Një tjetër rast i rëndë ishte shënuar në tetor të vitit 2015. Nebih Berisha ishte dënuar pasi që kishte vrarë gruan e tij duke e goditur 20 herë me thikë.

Përveç vrasjes së gruas Zejnepe Berisha, Nuhi Berisha ishte akuzuar edhe për shkaktim të lëndimit trupor ndaj vajzës së tij.

Ilir Haxhiaj është një tjetër i dënuar nga Gjykata në Gjakovë pasi që i njëjti ishte vërtetuar se kishte rrahur gruan e tij e kishte përplasur për asfalti duke i shkaktuar lëndime të rënda të cilat më pas i sollën vdekjen.

Hatije Dina gruaja e Ilir Haxhiajt kishte vdekur 2 javë pas rrahjes nga bashkëshorti. Prokuroria kishte pretenduar se në dalje të fshatit Samadraxhë, Ilir Haxhiaj ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe lëndimeve të pësuara, e ndjera Hatije Dina ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë, dy javë pas ngjarjes.

Disa nga gratë që u vranë ndërvite nga bashkëshortët apo partnerët e tyre ishin përballur edhe në të kaluarën me dhunë fizike nga të njëjtit.

Raste të grave që u vranë me armë nga burrat e tyre zënë vend ende në dosjet në sistemet e sigurisë dhe drejtësisë.

Në janar të këtij viti, një grua u vra nga burri i saj në Llaushë të Skenderajt.

Lirije Qerimaj pesë ditë para se të vritej kishte raportuar në polici burrin e saj. KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht se gruaja kishte kërkuar mbrojtje nga shteti po për shkak të festave zyrtare kërkesa për mbrojtje ishte lënë që të dorëzohej në mes të javës kur të përfundonin pushimet.

Në ditën kur pritej të bëhej kërkesa për mbrojtje, ajo ishte vrarë nga burri i saj i cili ishte dorëzuar më pas në polici me të njëjtën armë që kishte kryer ngjarjen.

Lirije Qerimaj ishte qëlluar gjashtë herë me plumba në trup nga Skender Qerimaj.

Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj ishin vrarë katër vite më parë më saktësisht në vitin 2018 në fshatin Brekovc të komunës së Gjakovës.

Valbona Ndrecaj 34 vjeçare dhe vajza e saj Klara 9 vjeçare u qëlluan me kallashnikov në kokë nga plumbat, që pretendohet se u shkrepën nga burri, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj. Aktakuza shpjegon se Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.

Disa javë para vrasjes Pjetri ishte arrestuar nga policia, i dyshuar për sulm ndaj gruas së tij. Ai ishte paraburgosur për 30 ditë ndërsa pas lirimit kishte nisur zgjidhjen e problemit të tij në baza kanunore.

Në kohën kur prokuroria e Gjakovës po merrej me hetimin e rrahjes së Valbonës, Pjetri kishte mbledhur burrat dhe sipas asaj që quhet zakon kishte shkuar në familjen e Valbonës për të tentuar pajtimin me Valbonën.

Dëshmitarë i kanë thënë prokurorisë se gjashtë burra përfshirë Pjetrin dhe të vëllain kishin qëndruar ditën kritike në shtëpinë e familjes së Valbonës.

Vëllai i viktimës ka rrëfyer në prokurori se motra e tij ishte probleme me burrin pasi ai e keqtrajtonte. Siç shkruhet në aktakuzë Valbona ishte rrahur publikisht gjatë një dasme nga Pjetri. Version tjetër që kishte dhënë vëllai i Pjetrit, ai në deklaratën në prokurori kishte thënë se qifti kishte jetuar pa probleme.

Kur burrat ishin larguar nga shtëpia Pjetri kishte nisur të përdorte metodën tjetër atë të kërcënimeve për ta bindur Valbonën të rikthehej.

“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra”, i kishte shkruar Pjetri Valbonës në një mesazh telefonik.

Familja kishte vendosur që sërish të kërkonte ndihmën e ligjit dhe të shtetit për ta mbrojtur Valbonën.

Vëllai i Valbonës ka treguar se pasi nuk ishte arritur marrëveshja për pajtim mes motrës dhe dhëndrit, ky i fundit i kishte telefonuar Valbonës edhe më pas, gjatë asaj dite, duke e kërcënuar dhe shantazhuar.

Si rezultat, Valbona me dy vëllezër kishte shkuar në Polici në Gjakovë dhe e kishin paraqitur rastin.

Zyrtarët policor nuk kishin ditur si t’a kualifikojnë veprën penale, si kanosje, kërcënim apo ngacmim.

Sipas dëshmisë së Kujtim Markut, Valbona kishte kërkuar siguri nga Policia e Gjakovës, “sepse Pjetri nuk rri asnjëherë pa armë“.

Kallashnikovi që dyshohet se ishte përdorur në rast, Pjetër Ndrecaj kishte thënë se e kishte blerë dy vite para se ta kryente aktin e vrasjes.

Pas raportimit në polici nga ana e Valbonës me vëllain e saj, të njëjtit ishin kthyer në shtëpi. Aty kishte shkuar edhe Pjetër Ndrecaj e që më pas kishte nxjerrë kallashin dhe kishte gjuajtur.

KALLXO.com në mars të këtij viti kishte raportuar në lidhje me statistikat e vrasjeve, dhunës që përjetojnë gratë dhe shqetësimet e ngritura se sistemi i drejtësisë nuk po merret seriozisht me këto raste.

Raste të vrasjes së grave, dhunimeve, e dhunës ndaj grave nga burrat e ish-burrat e tyre, po ngrit shqetësime për përgjegjësinë e institucioneve në trajtim jo të duhur, e në anën tjetër vendosja e drejtësisë plotësisht në vend të saj po dështon.

Dështimet e zinxhirit institucional në mbrojtjen e grave