barrikada rudar

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë, Foto: KALLXO.com

Brenda barrikadës në Rudarë, KFOR-i e EULEX-i po monitorojnë situatën në veri (VIDEO)

Janë bërë tri ditë prej kur rrugët që të dërgojnë drejt dy pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar.

Këto dy pika tashmë janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë së qarkullimit për të dalë përtej këtyre dy pikave kufitare.

Qytetarët serbë që jetojnë në katër komunat me shumicë serbe, për të shprehur pakënaqësitë në formë proteste kanë bllokuar disa lokacione të ndryshme në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Në Zveçan është bllokuar rruga kryesore në fshatin Rudarë.

Përmes kësaj rruge qytetarët e kanë të pamundur të vazhdojnë me veturë drejt Leposaviqit e më pas Jarinjes.

Ngjashëm është bllokuar rruga edhe në Zubin Potok. Qytetarët kanë përdorur makineritë e rënda duke filluar me kamionë e autobusë.

Të gjitha këto makineri janë pa targa ndërsa KALLXO.com ju sjell pamje brenda kësaj barrikade.

Në mënyrë paralele të vendosura për të fortifikuar barrikadën, qytetarët kanë përdorur rreth 10 makineri të rënda.

KALLXO.com ka kaluar përtej kësaj barrikade që është vendosur në fshatin Rudarë dhe nga atje ju sjell pamje se si është krijuar ajo.

Gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com qëndronte në këtë zonë, ka parë monitorim nga afër të ekipeve të EULEX-it të cilët janë vendosur disa metra para barrikadës dhe ekipet e KFOR-it.

Një ekip i EULEX-it është sulmuar me mjete shpërthyese nga persona të maskuar ndërsa një veprim i tillë është dënuar nga ta.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ditë më parë kërkoi nga qytetarët serbë që të lejojnë qarkullimin e misioneve ndërkombëtare që punojnë në Kosovë.

Që nga e marta e javës së kaluar tensionet në veri të Kosovës janë rritur. Kjo fillimisht nisi për shkak të rezistencës së qytetarëve për të zhvilluar zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe e më pas tensionet vazhduan kur u raportua për arrestime të personave të dyshuar për sulm ndaj policisë e zyrave të KKZ-së në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj policisë në aksionin kundër kontrabandës me barna, që është zhvilluar në tetor të vitit të kaluar. Aksioni ishte zhvilluar kundër kontrabandës në veri të vendit.

Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar të shtunën nën dyshimet se kishte organizuar sulmin me mjete shpërthyese në drejtim të zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Pas arrestimit të Pantiq, në veri u lëshua alarmi dhe brenda pak orëve u krijuan disa barrikada nëpër rrugët e Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut.