BQK: Këtë vit evituam shkeljen e ligjit pasi rishikuam tarifat për sigurimin e automjeteve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se veprimi i rishikimit të çmimeve për tarifat e sigurimit të automjeteve ka evituar një shkelje ligjore.

Sipas tij, BQK e ka obligim rishikimin e tarifave, por që nga viti 2001 asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë.

“Çmimet aktuale për sigurime të automjeteve kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001 edhe pse është kërkesë ligjore që për çdo vit që të bëhet rishikimi i tarifave, nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani. Realisht, me rishikimin e tarifave për këtë vit ne e kemi evituar një shkelje ligjore. Rishikimi nuk nënkupton që duhet të rritën por e kemi obligim ligjor që të rishikohen çdo vit dhe me thënë, janë në rregull tarifat, duhet të rritën 1% duhet të ulën 1%, por nuk ka ndodhur asnjëherë që nga viti 2001. Ne e kemi evituar një shkelje ligjore”, tha ai të enjetën para gazetarëve.

 

LIVEBanka Qendrore e Kosovës flet për shtrenjtimin e çmimeve të sigurimit të automjeteve

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 21 novembre 2019

 

Ditë më parë, BQK njoftoi se janë rritur tarifat për sigurimin e automojve për 26.6%.

Sipas të parit të këtij institucioni financiar, kjo rritje është për një qëllim.

“Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës ka marr vendim për rritjen e çmimit për sigurimet e automjeteve. BQK me qëllim të mbrojtjes së polic mbajtësve ka marr vendimin (për rritjen e çmimit për sigurimin e automjeteve). Duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi dhe në rekomandimet e FMN-së, ne kemi vendosur për vendimin”, tha ai.

Ndaj këtij vendimi ka pasur shumë reagime. Nesër dhe pasnesër janë paralajmëruar edhe protesta.

Sot edhe Shoqata e Sigurimeve ka dalë me një qëndrim rreth këtij ndryshimi të çmimeve.

“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.

Të gjitha kompanitë e sigurimit sipas Shoqatës së Sigurimeve, të cilat kanë operuar në Kosovë nga viti 2002 kanë pësuar humbje më shumë se 23.5 milionë euro, që i bie për çdo vit nga 1.3 milion.

“Përveç numrit në rritje të automjeteve të pa siguruara, numrit në rritje të aksidenteve, në bilancin negativ vjetor të kompanive të sigurimit kanë ndikuar edhe obligimet shtese që industria e sigurimit është dashur të paguaj ndaj shtetit, si asnjë korporatë tjetër në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Kompanitë e sigurimit janë në gjendje të rendë financiare, pasi që ka rritje ekstreme të aksidenteve me lëndime të rënda, por edhe aksidenteve më lëndime të lehta. Kjo që ka ndodhur në vendin tonë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të rajonit, por edhe më larg. Ka rritje të konsiderueshme të dëmeve, polica e sigurimit e cila edhe më rritjen e fundit ka çminim më të lirë në rajon, deri sa ka një mbulueshmëri deri në një milionë euro, shumë kjo e barabartë me shtete të zhvilluara Evropiane”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Sipas tyre industria e sigurimit në Kosovë, luan edhe një rol të rëndësishëm në aspektin social, pasi që sipas shoqatës, në të direkt dhe indirekt punësohen mbi 2,700 punëtorë në të gjitha komunat e vendit.

“Tendenca për të dëmtuar industrinë e sigurimeve, ku më shumë se gjysma është me kapital të huaj dëmton edhe imazhin e vendit karshi investitorëve të huaj të cilët edhe më tutje Kosovën e shohin si mundësi për ta investuar një pjesë të kapitalit të tyre”, thuhet në njoftimin e shoqatës.