BQK: Jemi duke avokuar që Kosova të bëhet pjesë e platformave ndërkombëtare të pagesave siç është Paypal
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë se institucioni që ai udhëheq është duke u angazhuar në avokimin që Kosova të bëhet pjesë në platformat ndërkombëtare të pagesave siç janë Paypal, Apple Pay, Google Pay apo Samsung Pay.
Këtë deklaratë udhëheqësi i BQK-së e ka bërë gjatë konferencës “Bankat, fintekët dhe bizneset: Ndërtimi i sinergjive për përshpejtimin e qasjes në financa”, që u mbajt sot në Prishtinë.
Përveç këtyre platformave, Ismaili ka thënë se BQK po punon për zhvillimin e infrastrukturës teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7; krijimin e QR Kodit Kombëtar dhe standardizimin e API për ndërlidhjen e sistemeve.
Në këtë konferencë Ahmet Ismaili ka folur edhe për avancimin e shërbimeve financare drejt transformimit të pagesave elektronike.
“Avancimi i shërbimeve financiare drejt transformimit të pagesave elektronike (jo-në para të gatshme) dhe produktet alternative te financimit do të kontribuojnë në gjithëpërfshirjen financiare, rritjen e konkurrencës dhe uljen e kostos, zvogëlimin e informalitetit dhe rritjen e efektivitetit, si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve nga institucionet financiare si dhe integrimin e qytetarëve tanë dhe bizneseve me rajonin dhe vendet e BE-së” – ka deklaruar Guvernatori Ismaili.
Gjithashtu, i pari i BQK-së ka thënë se do të investohet në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore.
“Duke investuar në këtë drejtim, do të sigurohemi se sistemet, pajisjet, njohuritë, aftësitë dhe mjetet e personelit mundësojnë transforimimin dhe janë relevante dhe efektive në mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjive të reja dhe modeleve inovative të biznesit”.
Gjatë fjalimit të tij, Guvernatori Ismaili kërkoi që institucionet financiare bankare dhe jo-bankare duhet të adresojnë rrezikun kibernetik dhe të investojnë në infrastrukturë e të kenë personel të mjaftueshëm të kualifikuar për të monitoruar dhe mbikëqyrur aktivitetet e tyre të kontraktuara nga palët e treta.
Bashkëorganizator i kësaj konference ishte edhe USAID amerikan, ku drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike të USAID-it në Kosovë, Aleksander Albertine tha se përmes aktivitetit për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa po punohet që të sigurohet që Kosova të shfrytëzojë plotësisht ekosistemin e saj financiar.
“USAID-i përmes aktivitetit për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa është i përkushtuar që të sigurojë që Kosova të shfrytëzojë plotësisht ekosistemin e saj financiar. Bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Kosovës e dëshmon këtë përkushtim. Ne po vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjitha palët e interesuara për të inkurajuar futjen e zgjidhjeve dhe teknologjive inovative midis bankave dhe fintekëve, duke përmirësuar kështu ekosistemin e përgjithshëm financiar” – citohet të ketë thënë Albertine.